Simulimet, Capello kritikon Neymar
Tekniku i Rusisë dhe ish trajneri i Real Madridit, Fabio Capello kritikon sulmuesin e Barcelonës, Neymar, duke theksuar se braziliani duhet t’i japë fund aktrimit me hedhjet në fushën e lojës. Italiani që udhëhoqi Realin drejt tre titujve kampion, ka vëzhguar lojën e sulmuesit brazilian, i cili shënoi golin e parë në El Classico.

"Neymar është një sulmues i madh por unë i urrej lojtarët e nivelit të tij që rrëzohen sa herë i prekin", shprehet Capello në një intervistë dhënë për mediat italiane, duke shtuar se këto gjeste i janë kthyer në një ves dhe në këtë mënyrë ai po bëhet i mërzitshëm.

Capello është vetëm njëri prej emrave më me peshë në futbollin botëror që akuzon kapitenin e Brazilit për rrëzimet e tij të shpeshta në fushë, pasi një gjë të tillë e ka bërë në të shkuarën edhe Pele, i cili ka thumbuar Neymar për simulimet e vazhdueshme.

Ish sulmuesi i Santosit, ishte lojtari i katërt që pësoi më shumë ndërhyrje në sezonin e shkuar të Primera Division dhe lojtari që pësoi më shumë faulle në Botërorin e Brazilit. /albeu.com/
Shtuar më 26/10/2014, ora 13:35
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori