Situatë qesharake te Etika, një e-mail "pengon" Tiranën të dëshmojë për ndeshjen me Bylisin
Sot duhej të ishte dita kur Tirana do të provonte pafajësinë e saj përballë akuzave për trukime ndeshjesh, por për çudinë e të gjithëve, klubi bardheblu nuk është paraqitur sot para Komisionit të Etikës në zyrat e FSHF.

Një situatë e papritur, duke llogaritur se Tirana ishte e akuzuara kryesore për shkak të luhatjes së paraqitjes së saj që kombinohej me luhatjet e koeficienteve të basteve në kompanitë ndërkombëtare. Mund të duket e çuditshme, por problemi në këtë mes është një e-mail.

Sipas “SuperSport”, bardheblutë kanë ndërruar së fundmi e-mailin e tyre të klubit dhe Komisioni i Etikës, kur u ka dërguar kërkesën për t’u paraqitur për dëshminë e tyre, ua ka dërguar në adresën e vjetër. Ndaj kryeqytetasit e kanë cilësuar veten “të paftuar”, ndryshe nga Bylisi i cili është përfaqësuar me presidentin Besnik Kapllanaj.

Një situatë qesharake, duke llogaritur se drejtuesit bardheblu nuk janë persona të panjohur për FSHF dhe lajmërimi mund të bëhej edhe në mënyrë tjetër. Aq më shumë kur vetë drejtuesit e klubit kryeqytetas prej kohësh trumbetojnë bashkëpunimin e ngushtë që kanë me institucionin dhe organet e tij juridike që i kanë ndihmuar të sigurojnë licencimin në UEFA.

Gjithçka e bën qesharak që në start procesin e hetimit të ngjarjeve në Bylis-Tirana, për të cilat përfaqësuesit e klubit bardheblu do të përgjigjen të martën, gjithmonë nëse nuk ndërrojnë përsëri e-mail deri atëherë.
Shtuar më 09/07/2020, ora 18:51
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori