"S'ka rotacion ndaj Atalantas, Pogba e Tevez në fushë"
Pëlqej
Edhe pse javën e ardhshme Juventusin e presin dy ndeshje shumë të vështira ndaj Atletico Madrid në Champions League dhe Romës në Serie A, trajneri i bardhezinjve Massimiliano Allegri, në vigjilje të transfertës ndaj Atalantës për javën e 5-të të kampionatit, deklaroi se nuk do të aplikojë një rotacion të madh në formacionin e skuadrës së tij.

"Përballë Atalantës do të hedh në fushë skuadrën më të mirë të mundshme. Giovinco, Pereyra dhe Ogbonna kanë zhvilluar ndeshje shumë të mira gjatë kësaj periudhe dhe meritojnë të luajnë ndërsa Evra po rritet nga një sfidë në tjetrën. Do të ndryshoj dicka në formacion, por nuk mund të flas për rotacion. Skuadra që kam në dispozicion i ka mundësitë të fitojë edhe pa 4 apo 5 lojtarë të rëndësishëm", u shpreh Allegri.

Më pas ish tekniku i Milanit konfirmoi se Pogba dhe Tevez do të rikthehen të luajnë titullarë përballë Atalantas ndërkohë që foli edhe për sulmuesin spanjoll Fernando Llorente i cili e ka shumë të vështirë të gjejë golin në këtë fillim sezoni.

"Në sfidën ndaj Atalantës do të zbresin në fushë që nga minuta e parë si Tevez ashtu edhe Pogba. Përsa i pëket Fernandos ai po bën paraqitje të mira edhe pse i ka munguar goli. Unë mendoj se është vetëm cështje kohe gjetja e rrjetës për Llorenten. Edhe vitin e shkuar fillimi i sezonit ka qenë i vështirë për të, por më pas shpërtheu duke shënuar shumë gola2, vijoi Max Allegri.

Në fund 47-vjecari nga Livorno analizoi kundërshtarin e radhës si dhe foli për gjendjen në të cilën ndodhet mesfushori Andrea Pirlo.

"Të fitosh në Bergamo nuk është asnjëherë e lehtë. Përballë Atalantës do të jetë një ndeshje shumë e vështirë për ne. Ata vijnë në këtë sfidë pas dy ndeshjeve ku janë mundur por që kanë luajtur mirë, sidomos në takimin e shtëpisë ndaj Fiorentinës. Por pavarësisht gjithçkaje tre pikët janë të domosdoshme për ne në një sifdë si kjo pasi mund ta na rritin moralin në prag të dy ndeshjeve të vështira ndaj Atleticos dhe Romës. Pirlo? Është stërvitur mirë në dy ditët e fundit, por ka ende nevojë për kohë. Këtë të dielë skuadra e të rinjve do të zhvillojë një ndeshje miqësore ku do të ketë disa minuta edhe për të. Shpresoj ta kemi gati Andrean në fillimin e javës së ardhshme", përfundoi konferencën e tij Massimiliano Allegri. /albeu.com/
Shtuar më 26/09/2014, ora 16:29
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori