Skandali! Duka aksioner me Zeqon
Sulejman Starova, drejtori teknik i Teutës dhe njëherazi një bashkëtrajner i skuadrës durrsake, e ka akuzuar në mënyrë të drejtpërdrejtë arbitrin Evis Peza për korrupsion. " I bëj thirrje presidentit të FSHF-së, Armand Duka, që të distancohet publikisht nga ai gjykim skandaloz që arbitri Evis Peza bëri në ndeshjen Laçi-Teuta. Iu bëj thirrje gjithashtu, edhe organeve kompetente në FSHF, përfshirë këtu edhe Armand Dukën, që të kërkojnë hetim të plotë për Evis Pezën. Duhet t’i kërkojnë ndihmë edhe prokurorisë për të zbardhur se çfarë ka bërë Peza në atë ndeshje. Ndryshe, nuk mund të flasim më për futboll të pastër", është shprehur Sulejman Starova në emisionin Zoom në Super Sport.

Drejtuesi i Teutës ka dashur të sqarojë se nuk ka asgjë kundër Laçit dhe se skuadra bardhezi bëri vetëm detyrën.

" Ndeshje të tilla si kjo e jona kundër Laçit, apo edhe të tjera, e zbukurojnë futbollin. Laçit, bravo i qoftë se luftoi dhe fitoi!, – ka deklaruar Starova. – Ajo që unë nuk pranoj dot është se si mundet, që një arbitër të hedhë në erë një projekt të tërë dhe të jetë aq i njëanshëm. E theksoj edhe njëherë se Peza duhet të hetohet nga prokuroria. Duhen marrë masa urgjente që futbolli të pastrohet dhe, të paktën, vitin tjetër të mos ketë më kësi gjërash, sepse edhe për këtë vit gjërat janë të qarta dhe dihet se si do të shkojnë verdiktet".

Starova ka pohuar se nuk ka ndonjë fakt, (filmim apo dëshmi) se arbitri kryesor Peza ka marrë ndonjë ryshfet por, sipas tij, nga mënyra se si gjykoi, ishte tërësisht i vendosur për ta penalizuar Teutën.

" Unë nuk mund të them se e kam parë arbitrin të marrë lekë poshtë tavolinës, por pikërisht për këtë arsye kërkoj një hetim. Kërkoj një hetim dhe këtë e them në emër të të gjithë popullit durrsak dhe gjithë qytetit të Durrësit, sepse ky arbitër e kishte të shkruar në ballë se si do ta bënte ndeshjen. Këtu nuk e kam fjalën vetëm për dy rastet e prekjeve me dorë, një prej të cilave ishte penallti e pastër, por e kam fjalën për të gjithë ato raste dhe faulle ku ai nuk nxori asnjë karton të verdhë. Duhet një hetim dhe duhet të zbardhet ky rast që të mos shkojmë akoma më tutje dhe të mendojmë se presidenti i Skënderbeut, i cili është aksioner me Dukën, tek "Ama Kafe" po thurin gjëra që nuk kanë të bëjnë me futbollin. I bëj thirrje edhe njëherë Dukës në emër të të gjithë qytetit të Durrësit që të distancohet nga situata e krijuar së fundmi", ka deklaruar Starova.(Panorama-Sport). /albeu.com/
Shtuar më 27/04/2012, ora 18:45
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori