Skela: Panuçin do ta përndjekë hija e De Biazit, na duhen lojtarë të rinj, nuk na nderon gjithnjë mbrojtja
Pëlqej
Pas dy ndeshjeve të Kombëtares nën drejtimin e Kristian Panuçit dhe pas disa ndryshimeve që trajneri i imponoi me vrull, tani është koha e bilanceve. Natyrisht, për aq sa mund të bëhen të tilla për vetëm dy ndeshje… Pyetjet që vijnë ndër mend janë të tipit: “Pse shkojmë me kaq vështirësi në sulm? Pse na mungon fantazia në ekip, edhe pse tani kemi mundësi zgjedhjeje në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Zvicër, Gjermani, etj…?”.

Dhe meqë jemi te fantazia, kush tjetër përveç Ervin Skelës mund të bëjë një analizë të detajuar për atë që po kalon Kombëtarja…? Ai pra, mesfushori nga Vlora që dikur bënte magji me fanellën kuqezi edhe në ditë të vështira, tani thotë se Shqipërisë nuk mund t’i kërkohet të bëjë Spanjën, por të paktën me skuadra si Maqedonia, të luajë si e barabartë dhe jo si inferiore. Në një rrëfim për “Panorama Sport”, ish-mesfushori i shquar i përfaqësueses pohon se Panuçin do ta përndjekë hija e De Biazit edhe në vijim, por është detyrë e tij t’ia dalë mbanë në krye të kuqezinjve.

Ervin, ç’mendim keni për Kombëtaren e Panuçit? A mund të quhet e tija vetëm pas dy ndeshjesh?

Nëse nuk është e tija, e kujt atëherë…? Kam përshtypjen se është pak të thuash për një trajner që ka qëndruar vetëm 10 ditë me skuadrën se është “e tija”. Por, gjithsesi, keni të drejtë, faturën kur gjërat nuk shkojnë mirë, ai e mban… (qesh).

Çfarë ju ka rënë në sy në dy ndeshjet e fundit?

Për Lihtenshtejnin nuk mund të flasim gjatë. Shqipëria e kishte detyrim fitoren dhe dihej që do të vuante pak, sepse Lihtenshtejni sillet si çdo ekip i vogël. Pra, mbrohet. Edhe ne këtë bëjmë me Spanjën. Shqipëria bëri detyrën dhe vetëm kaq, raporton Panorama.

Po me Maqedoninë?

Nuk ishte një ndeshje që më pëlqeu. Pjesa e parë ishte e dobët, ndërsa në të dytën disa gjëra ndryshuan, e megjithatë prapë çaluam disi.

Pse e kemi kaq të vështirë të sulmojmë mirë dhe të jemi të rrezikshëm mjaftueshëm kur duhet ta fitojmë një ndeshje?

Ka disa faktorë. I pari është frika për të mos humbur me një rival direkt. I dyti është cilësia e lojtarëve. I treti, gjendja momentale e tyre. Pastaj janë fusha, harmonia në ekip, gjendja psikologjike etj… Pra, ka shumë faktorë. Kursejeni Panuçin dhe çdo trajner tjetër në kritika dhe mendojini këto faktorë kur duhet të flisni për paraqitjen e një skuadre.

Pra, sipas jush, ne kaq mundësi kemi dhe kaq bëjmë?

Jo, nuk thashë këtë. Po mendoj se duhet të jemi pak më të duruar me Panuçin. Natyrisht, e kuptoj edhe logjikën e tifozit, apo të medias që kur gjërat nuk shkojnë, atëherë trajneri ka përgjegjësi i pari. Jam dakord me këtë, por mos i kërkoni ama të bëjmë edhe Spanjën.

Pse është shumë që t’i kërkosh të dominojmë Maqedoninë?

Dakord, me Maqedoninë ne duhet të luajmë minimumi si të barabartë. Këtu jam dakord. Shqipëria tani ka petkun e një skuadre që shkoi në Europian, ka lojtarë me një mesatare të mirë moshe dhe që luajnë në klube të rëndësishme. Patjetër që me kundërshtarët tanë e kemi për detyrë që të jemi dinjitozë, por edhe të prodhojmë futboll të bukur.

Ju thoni futboll të bukur, por ne kemi disa vite që e kemi “zhdukur” rolin e fantazistit… Nuk kemi asnjë numër 10 të mirëfilltë. Pse?

Sepse kur erdhi De Biazi bëri maksimumin me ata që kishte në dispozicion. Duke parë potencialin dhe karakteristikat mendoi se, duke luajtur në mbrojtje dhe përdorur kundërsulmin, Shqipëria mund të ishte më efikase. Koha i dha të drejtë, pasi shkuam në Europian. Po, shkuam në Europian duke gjuajtur vetëm një herë në portë ndaj Portugalisë, duke u mbrojtur me Danimarkën, por ia dolëm ama. A janë të kënaqur shqiptarët më me këtë stil loje?

Me sa duket jo. Sepse me të drejtë do të kërkojnë gjithnjë diçka më shumë se sa ç’është bërë në të kaluarën. Por duhet t’i ndajmë gjërat: kundër Spanjës do të mbrohemi se s’kemi zgjidhje tjetër. Kundër Maqedonisë dhe ekipeve të ngjashme duhet të luajmë për të fituar dhe jo duke u mbështetur vetëm te mbrojtja. Për fat të mirë, kemi Mavrajn, Hysajn, Ajetin dhe Agollin, por jo gjithnjë do të na nxjerrin ata në dritë.

Dakord, por kush mund ta bëjë “Skelën” në këtë Kombëtare?

Nuk është çështja te një individ. Mua realisht më pëlqeu Panuçi kur deklaroi pas ndeshjes se do të kërkojë lojtarë të rinj, kryesisht sulmues. Nëse kërkon të ndryshojë diçka në ekip, i duhen edhe lojtarë të tjerë në rolet ku ne kërkojmë të përmirësohemi.

Si ju duk sjellja e tij me Cikalleshin?

Fillimisht e paragjykova disi të them të drejtën. Mendova se u tregua shumë i ashpër, ndërkohë që djaloshi (Cikalleshi) shyqyr që kish siguruar një kontratë të mirë. Por,mosha na kërkon të jemi të matur dhe të dëgjojmë edhe variantin tjetër dhe, të them të drejtën, kur trajneri sqaroi në konferencën pas ndeshjes së avioni i Cikalleshit nisej në orën 08:00 dhe ai e kishte marrë në telefon në orën 09:00 për ta njoftuar se nuk vinte dot në kohë, atëherë natyrisht e mirëkuptoj trajnerin.

A do të kënaqeshit nëse Panuçi vazhdon në rrugën e De Biazit, pra do të jetë i suksesshëm duke u mbrojtur më së shumti…?

Eh, mua më pëlqen shumë një thënie e Johan Krujfit: triumfet me futbollin e shëmtuar janë të mërzitshme dhe futbolli i bukur pa trofe nuk ka asnjë vlerë. Duhet një balancë mes të dyjave. Trajneri i ka dhënë sinjalet se do të ndryshojë diçka në sulm. Duhet të presim.

Ish-trajneri Astrit Hafizi sërish ishte kritik për mënyrën se si luan Kombëtarja jonë kur kërkon ta fitojë një ndeshje, pasi sipas tij nuk ka asnjë filozofi të qartë. Ju si mendoni?

E dëgjoj Hafizin dhe në shumicën e gjërave jam dakord me të. Por ndonjëherë jam dakord edhe me Vinin (Ervin Fakajn) kur vë në dukje cilësinë. Pra, ne mund të kërkojmë të jemi sa më të mirë, por duhet të llogarisim edhe cilësinë që kemi.

Pse jeni kaq i distancuar?

Nuk jam i distancuar nga futbolli, përkundrazi jam shumë aktiv. Trajnoj një ekip të rinjsh që është pjesë e klubit të Eintraht Frankfurtit. Jam ndërkohë zbulues i këtij klubi kryesisht për moshat U-16. Jam shumë i zënë madje… (qesh).

Pyetja në fakt kishte të bënte me Kombëtaren. Lala, Bushi, Bogdani, Bellaji etj., e kanë pasur nga një rol në ekipet kombëtare…

Kështu janë bërë zgjedhjet. Unë kam këtë profil tani.

Ju kanë bërë ndonjëherë ndonjë ofertë për ndonjë rol?

Jo, nuk më kanë bërë asnjë ofertë. Kjo është një temë që nuk mendoj se është koha të diskutohet tani. Për momentin, dua vetëm të fokusohem te puna ime e përditshme.

Kur mund t’ju shohim trajner në nivele të larta?

Nuk e di. Di vetëm që në të ardhmen do të bëj trajnerin. Në fakt po e bëj tashmë dhe do të përpiqem të eci sa më shumë. Më 1 tetor nis në Shqipëri kursin “UEFA PRO”.

A e vuajtët faktin kur u shkëputët nga futbolli i luajtur?

Po, patjetër që po. Pati një moment kur nuk isha edhe aq i qartë në fakt se çfarë do të bëja në jetën time “të dytë”. Është e vështirë për të gjithë, jo vetëm për mua. Por, për fat të mirë, tani ndihem sërish mirë dhe kam një nxitje tjetër.

A jeni ndier i braktisur ose a e keni provuar ndonjëherë shijen e mosmirënjohjes, pasi nuk ishit më një yll i fushave të blerta?

Do të gënjeja po të thosha se nuk e kam provuar atë ndjesi. Ka pasur momente kur lashë futbollin që dikush, ata që dikur më rrethonin të ishin po aq të dashur dhe po aq dashamirës, të më pyesnin qoftë edhe si isha dhe çfarë doja të bëja. Për fat të keq, këtë e bënë pak veta. Por kjo ndodh edhe në fusha të tjera të jetës, jo vetëm në futboll.

A mendoni se mund të bëheni protagonist në nivel mediatik?

Nuk e kam pasur ndonjëherë qëllim këtë, por ama e falënderoj Glentin (Nallbanin) në “Top Channel” që vendosën të më bëjnë pjesë të një eksperience televizive shumë interesante gjatë Europianit. E vlerësova sinqerisht dhe u jam mirënjohës.

Ju nuk i keni pasur shumë qejf gazetarët, tani a ju telefonojnë si më parë, apo ka ndryshuar raporti?

Tani ndodh shumë rrallë. Nuk i kam pasur bezdi, thjesht irritohesha kur shikoja gjëra të paqena. Kam shkuar që 18 vjeç në Gjermani dhe jam mësuar me disa rregulla që tani i kam parime në jetë.

Çfarë nuk do mund të bënit në jetë?

Ka shumë gjëra, por një ndër to është që nuk do t’i lëpihesha askujt për diçka. Nëse e arrij një gjë do ta provoj, nëse nuk ia dal dot me mundësitë që kam, nuk e provoj fare. E urrej servilizmin.
Shtuar më 12/09/2017, ora 15:16
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori