Skënderbeu bën goditjen më të madhe në merkaton e janarit
"Bomba” e merkatos vjen nga Skënderbeu. Kristal Abazaj është i skuadrës korçare. Sulmuesi 21-vjeçar ka arritur marrëveshjen me Skënderbeun me bekimin edhe të dy klubeve, që kanë rënë dakord për transferimin, i cili do të formalizohet vetëm verën e ardhshme. Vetë Abazaj ka konfirmuar hedhjen e firmës me Skënderbeun në bazë të një marrëveshjeje që e lidh atë me ekipin korçar deri në vitin 2020.

Gjatë 6 muajve të ardhshëm futbollisti do të qëndrojë te Luftëtari në formë huazimi, ndërkohë që do të paguhet nga Skënderbeu. Gjithsesi, ekziston edhe një prapaskenë interesante që Abazaj të shitet menjëherë në merkaton e janarit, nga Skënderbeu në një klub të huaj, natyrisht në këtë rast duke përfituar edhe një fond të rëndësishëm financiar. Një goditje e madhe në të gjithë aspektet kjo për Skënderbeun që qëndron në “pole position” edhe për “xhevahirin” tjetër të Luftëtarit, Dejvi Bregun. Situata e vlonjatit është disi ndryshe edhe pasi kontrata e tij me skuadrën gjirokastrite skadon në fund të këtij sezoni.

Futbollisti vlonjat refuzoi para pak javësh destinacionin “Flamurtari” edhe pse dy klubet gjetën akordin në parim. Te Luftëtari, ku rrezikojnë ta humbasin pa përfituar asgjë në qershor, kur mbaron edhe kontrata, do të preferonin një rinovim të tijin ose shitjen në merkaton e janarit, por vetë futbollisti duket i bindur për të qëndruar në Gjirokastër. Më pas, në verë, me parametër zero, rriten edhe shanset për një kontratë shumë më fitimprurëse në aspektin personal, duke patur parasysh se klubi ku do të shkojë nuk do të jetë i detyruar të paguajë për kartonin. Te Skënderbeu, ku e kërkojnë prej kohësh, janë shfaqur të gatshëm për të kënaqur gjithë pretendimet financiare të 22-vjeçarit./albeu.com/
Shtuar më 05/01/2018, ora 17:05
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori