Skënderbeu rikthen sulmuesin e huazuar, Oto John
Skënderbeu ka filluar përgatitjet në qytetin e Korçës, nën drejtimin e trajnerit të sapoemëruar, ish kapitenit dhe portierit, Orges Shehi.

Presidenti Takaj konfirmoi edhe njëherë se korçarët do të synojnë sërish titullin kampion, ndërsa theksoi se sfida e vërtetë e tyre, është ajo ndaj UEFA-s, në CAS-in e Lozanës.

Aktualisht në stërvitje me Skënderbeun kanë dalë disa nga lojtarët e sezonit të kaluar, ndërsa deri tani janë larguar Sowe, James, Sabien Lilaj dhe Sahiti.

Gjithsesi korçarët kanë filluar të rikthejnë pas futbollistët që kanë pasur në huazim, siç është rasti i sulmuesit nigerian, Oto John, i cili u vu sot në dispozicion të Shehit.

Ky i fundit është blerë dy sezone më herët nga Skënderbeu, por ka qenë i huazuar së fundi në Superligën e Kosovës, me Trepçën ’89, ku edhe u shpall kryegolshënues.

Tashmë John do të mbrojë ngjyrat e Skënderbeut dhe do të ketë si synim të mbajë peshën e sulmit, një pozicion i lënë bosh nga largimi i Sowe. /albeu.com/
Shtuar më 09/07/2018, ora 22:15
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori