Skënderbeu vetmbrohet nga hetimi i UEFA-s: Nuk është trukim pse ndryshojnë koeficientet
Ka mjaftuar një status në “Facebook”, që klubi i Skënderbeut të bëjë një sqarim rreth lajmit më të bujshëm që ka qarkulluar së fundmi në lidhje me deklaratën e avokatit Zuçeretu gjatë seancës dëgjimore në CAS. Skëndërbeu rrezikon një përjashtim 10-vjeçar nga kompeticionet Europiane dhe një gjobë prej 1 milionë euro, por sipas klubit korçar, gjithçka është një hipotezë.

Komunikata për shtyp e klubit korçar:

Përmes kësaj komunikate për shtyp, KF Skënderbeu sqaron opinionin publik sa i përket deklarimeve të bëra nga Avokati Zuccheretti gjatë seancës dëgjimore në CAS.

Ashtu siç është transkriptuar qartësisht nga regjistrimet e kësaj seance, përfaqesuesi ynë ligjor në vitin 2016 ka komentuar faktin se luhatjet e koeficenteve të basteve live për ndeshjet e KF Skënderbeut janë të pakundershtueshme, por assesi nuk mund të arrihet në një përfundim se ndeshjet janë të trukuara. Ky qendrim i Avokatit Zuccheretti është konfirmuar edhe nga CAS, ku në vendimin për moslejimin e klubit tonë të garojë në UEFA Champions League 2016/2017, ka saktesuar se në analizë të raporteve të UEFA BFDS, nuk është e mundur të provohet trukimi i ndeshjeve apo përfshirja direkte e klubit në këto aktivitete të paligjshme.

Ndër të tjera, mundësia e perfshirjes së lojtarëve në trukim ndeshjesh është ngritur thjeshtë si hipotezë nga ana e përfaqesuesit tonë në proçes, jo si një akuzë por si një formë për të evidentuar se në një proçes disiplinor, shkeljet dhe shkelësit e disiplinës duhen individualizuar dhe mos të kryhet një proçes populist ku të gjithë janë të fajshëm por asnjëri nuk është fajtor. Ky element ka një prejardhje të drejtpërdrejtë nga praktika gjyqësore e CAS-it dhe gjykatave në rang federal dhe shërben si një garanci për një proçes të rregullt e ligjor.

KF Skënderbeu beson tërësisht në integritetin profesional dhe personal të çdo lojtari apo anëtari të stafit teknik të klubit, aktual dhe të shkuar, e nuk do të ngurrojë në asnjë çast ti mbrojë ata nga çfarëdo lloj akuze të ngritur pa fakte apo bazë ligjore.

Së fundmi, KF Skënderbeu dënon atë pjesë të medias së shkruar dhe vizive e cila në padijeni të plotë ndaj fakteve dhe argumenteve ligjore, dekontekstualizon thëniet e përfaqesuesit tonë ligjor për qëllime destabilizuese apo denigruese.

Sa i përket pretendimeve të Inspektoreve të UEFA-s ne lidhje me këtë keqperdorim të thënieve të Avokatit Zuccheretti, pergjigja e KF Skënderbeut do të jepet në rrugë gjyqësore, ku nuk do të kursehemi në asnjë çast për të mbrojtur integritetin, rezultatet dhe meritat e familjes tonë të madhe sportive.

Faleminderit për mirëkuptimin

Zyra për shtyp
KF Skënderbeu./albeu.com/
Shtuar më 20/02/2018, ora 14:25
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori