Sokol Kushta: De Biasi na dha leksionin e fundit!
Ish-futbollisti i kombëtares shqiptare , Sokol Kushta ka vlerësuar Gianni De Biasin, i cili dje i dha lamtumirën përfaqësueses sonë kuqezi. Ai vlerwson lart 61-vjeçarin i cili sipas tij shkroi emrin e vet me germa të arta në historinë e futbollit tonë.

“Leksioni fundit. Pa frikë mund ta quaj kështu ikjen e trajnerit të kombëtares, De Biasi. Eshtë i vetmi trajner i huaj që kur iku, ka përshëndetur dhe takuar të gjithë njerzit, si ata pak që e sulmuan, edhe ata shumë që e mbështetën kaq vjet. Të gjithë trajnerët e tjerë kanë ikur natën dhe kur kanë vajtur në lagjen e tyre kanë hedhur kamiona me baltë ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, ndaj çdo gjëje të mirë që kaluan këtu te ne.

De Biasi iku me lot në sy, dhe nuk ishin lot krokodili si disa, por lot mallëngjimi për atë që mori këtu kaq vjet, jo për lekët siç thonë ca. Ishte i mallëngjyer për atë që ky popull i vuajtur i dha, ngrohtësinë, miqësinë dhe mbështetjen. Thonë disa që mori lekë, po është e vërtetë, se në kapitalizëm puna vlerësohet, por asnjëri nuk thotë që dha më shumë se sa mori. Dhe po e them me plot gojën, mori më pak.

Dha jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe atë ndërkombëtar. Ka dhënë aq sa shumë diplomatë ndër vite se kanë bërë dhe se bëjnë dot këtë gjë. Iku duke i respektuar të gjithë, dha leksion në moral dhe karakter, i pa në sy dhe kur të tjerët mezi e shikonin, jua përplasi derën në surrat: unë do të iki, se ju nuk më doni më. Ciao! Ky është leksion i një njeriu të madh, jo vetëm si trajner”, shkruan Sokol Kushta në profilin e tij në Facebook. /albeu.com/
Shtuar më 15/06/2017, ora 10:29
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori