Solskjaer drejt shkarkimit, zbulohen pesë kandidatët për ta zëvendësuar
Me vetëm 7 pikë të grumbulluara pas 6 ndeshjesh të luajtura, Manchester United renditet në vendin e 15 në kampionat, ndërsa zërat për një shkarkim të mundshëm të Ole Gunnar Solskjaer po shtohen nga dita në ditë.

Drejtuesit e “djajve të kuq” kanë humbur besimin se norvegjezi mund të rikthejë skuadrën në nivele të larta dhe po shqyrtojnë alternativa, ndërsa ndryshimi në pankinë mund të vijë që këtë fundjavë, nëse Manchester United do të marrë tjetër rezultat negativ në transfertën ndaj Everton.

Mediat angleze kanë listuar pesë trajnerë të cilët janë kandidatët e mundshëm për të marrë vendin e Solskjaer, ndërsa edhe kompanitë e basteve kanë nxjerrë koeficientët përkatës për gjithsecilin prej tyre.

Kështu shanset më të mëdha janë që në pankinën e “djajve të kuq” të ulet argjentinasi Mauricio Pochettino, i cili është i papunë prej një viti, kur edhe u shkarkua nga londinezët e Tottenham.

Pochettino është një emër mjaft i suksesshëm në trajning dhe e njeh mjaft mirë kampionatin anglez, pasi ka drejtuar për disa sezone “Spurs”-at, të cilët i çoi deri në finalen e Ligës së Kampionëve, ndaj në “Old Trafford” e shohin si njeriun ideal për të ngritur skuadrën në nivele të larta.

Emri i dytë në listë është ai i italianit Maximiliano Allegri, i cili është i papunë që prej verës së 2019-ës, kur prishi me marrëveshje bashkëpunimin me Juventusin, pasi kishte fituar 5 tituj kampionë radhazi me bardhezinjtë.

Synimi kryesor i Allegrit është të vijojë të drejtojë në Serinë A, por duke qenë se deri tani asnjë klub elitar nuk ka ndërmend t’i ofrojë një kontratë, mund të pranojë ofertën e “djajve të kuq”, ku do të niste një rrugëtim të ri në karrierën e tij, pasi nuk ka drejtuar asnjëherë jashtë Italisë.

Emri i tretë në listë është ai i gjermanit Julian Nagelsmann, i cili po drejton me mjaft sukses Leipzigun, që e çoi deri në gjysmëfinale një vit më parë, ku u eliminuan nga Paris Saint Germain.

Trajneri 33-vjeçar ka spikatur pasi ka bërë një punë të shkëlqyer në Bundesligë, fillimisht me Hoffenhaim, që e drejtoi për tre sezone dhe më pas me Leipzig, që e dërgoi në gjysmëfinalet e Champions që në sezonin e parë.

Emri i katërt është një tjetër gjerman, Ralph Hasenhuttl që prej dy sezonesh drejton me mjaft sukses skuadrën e Southampton dhe në këtë fillim të kampionatit ka fituar 4 nga 7 ndeshjet e luajtura e synon një vend në Europë.

Hasenhuttl ka drejtuar Leipzigun në periudhën 2016-2018, megjithatë është një alternativë më pak e mundshme, pasi do të ishte e vështirë që të lihej i lirë në mes të sezonit nga drejtuesit e Southampton.


Emri i pestë dhe i fundit në listën e kandidatëve për të marrë drejtimin e stolit të Manchester United është ai i Laurent Blanc, ish mbrojtësi francez që ka mbyllur karrierën e tij pikërisht me fanellën e “djajve të kuq” ku është aktivizuar në sezonet 2001-2003.

Megjithatë dyshimet mbi 55-vjeçarin francez janë të mëdha, pasi që prej largimit nga Paris Saint Germain në verën e 2016-ës, Blanc është i papunë dhe asnjë klub nuk ka provuar t’i ofrojë një shans.
Shtuar më 04/11/2020, ora 11:25
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori