Sonte finalja e madhe e Boterorit
Albeu.com
Botërori i parë që mbahet në kontinentin e Afrikës do të nxjerrë një kampion të ri. Dy gjigantët e futbollit që nuk kanë fituar asnjëherë botërorin, Holanda dhe Spanja, takohen në finalen që zhvillohet në stadiumin "Soccer City" në Johannesburg.
Suksesi më i madh i Spanjës në botëror ishte vendi i katërt, në vitin 1950. Por, Spanja tani ka rast të fitojë trofeun e dytë të madh me radhë dhe të konfirmojë statusin e përfaqësueses më të mirë aktual në futbollin ndërkombëtar. Të përzgjedhurit e Vicente del Bosques kanë fituar 50 nga 54 ndeshjet e fundit. Loja e tyre është e bazuar në pasime. Spanjollët kanë arritur të demoralizojnë dhe në raste të lodhin kundërshtarët e tyre me lojën e bazuar në një prekje të topit.

Holanda kishte siguruar finalen në vitet 1974 dhe 1978 duke aplikuar lojë të bukur që ishte karakteristikë për këtë përfaqësuese. Derisa "futbolli total" i zbuluar nga Holanda në vitet shtatëdhjetë, mund t'i takojë historisë, skuadra e Bert van Marwijkut në vitin 2010 ka zbuluar një formule fituese që është po aq efektive sa "futbolli total". Holanda nuk ka humbur në 25 ndeshjet e fundit dhe synon të barazojë rekordin e Brazilit nga viti 1970 që kishte fituar të gjitha ndeshjet në eliminatore dhe në kampionat.

Për Wesley Sneijderin, Arjen Robbenin, Klass-Jan Huntelaarin dhe Rafael van der Vaartin, finalja e së dielës është rast i përkryer për t'i dëshmuar Spanjës talentin e tyre. Tre të parët janë larguar si tepricë nga Reali i Madridit. Sneijder ka edhe një arsye më shumë për të shkëlqyer. Ai është në garë me David Villan e Spanjës për "këpucën e artë". Të dy kanë shënuar nga pesë gola.

Spanja për herë të 13-të paraqitet në botëror, ndërsa Holanda për herë të nëntë. Por këto dy përfaqësuese asnjëherë nuk janë takuar në kuadër të botërorëve. Ndeshja më e madhe në mes këtyre dy përfaqësueseve ishte e para, e luajtur në vitin 1920 për medaljen e bronztë olimpike. Të dielën përfundimisht njëra prej këtyre dy përfaqësueseve do të stoliset me ar.

Trajneri i Holandës, Van Marwijk pritet të kthejë në formacionin bazë mbrojtësin e djathtë, Gregory van der Wiel, dhe mesfushorin defansiv, Nigel de Jong. Të dy munguan në gjysmëfinale për shkak të suspendimeve.

Trajneri i Spanjës, Vicente del Bosque, duhet të vendosë nëse do të kthejë në përbërjen bazë sulmuesin Fernando Torres, apo do të vazhdojë me sulmuesin e Barcelonas, Pedro. Cesc Fabregas ka sanuar lëndimin, por ai nuk luajti fare në gjysmëfinale kundër Gjermanisë.
Spanja dhe Holanda nuk janë takuar asnjëherë në mes vete në kampionate botërore apo evropiane. Gjithsej janë takuar nëntë herë në mes vete. Të dy përfaqësueset fituan nga katër herë, ndërsa një ndeshje përfundoi me rezultat të barabartë.

Kjo do të jetë finalja e parë e botërorit në të cilën nuk do të jenë të përfshira Brazili, Argjentina, Italia apo Gjermania.

Për herë të fundit Spanja dhe Holanda janë takuar në miqësoren e luajtur në Rotterdam në vitin 2002. Holandezët fituan me rezultat minimal 1:0.

Holanda luan për herë të tretë në finale të kampionateve botërore. Holandezët kanë humbur nga përfaqësueset mikpritëse Gjermania Perëndimore përkatësisht Argjentina në vitet 1974 dhe 1978.

Holanda është duke tentuar që të bëhet përfaqësuesja e dytë që te titulli arrin duke fituar të gjitha ndeshjet në kampionat dhe në kualifikime. Brazili e kishte arritur këtë në vitin 1970.

Holanda për herë të parë ka fituar gjashtë ndeshje me radhë në botëror. Holandezët thyen rekordin prej pesë fitore që e kishin në vitin 1974 kur u mposhtën në finale.

Humbjen e fundit Holanda e ka pësuar në shtator të vitit 2008, kur u mposht 2:1 nga Australia në Eindhoven.

Holandezët kanë shënuar 12 gola në botëror. Vetëm Gjermania ka shënuar më shumë.

Wesley Sneijder ka shënuar shtatë gola në tetë ndeshjet e fundit me përfaqësuesen.

Spanja ka humbur vetëm dy nga 54 ndeshjet e saj të fundit, nga SHBA-ja dhe Zvicra. Humbja nga Zvicra ishte ogur i keq. Asnjë përfaqësuese që ka humbur ndeshjen e parë nuk ka fituar kampionatin botëror. Italia (1994), Argjentina (1990) dhe Gjermania Perëndimore (1982) kanë siguruar finalen pasi kanë humbur ndeshjen e parë. Argjentina (1978) ishte përfaqësuesja e fundit që fitoi titullin pasi më parë kishte humbur ndeshje në grup.

Kjo është hera e katërt që kampioni në fuqi i Evropës siguron finalen e botërorit. Përfaqësuesja e vetme që kishte fituar botërorin pas evropianit kishte qenë Gjermania, që në vitin 1974 kishte mposhtur pikërisht Holandën. Gjermanët kishin dështuar kundër italianëve në vitin 1982, ndërsa italianët ishin mposhtur nga Brazili në finale të botërorit të vitit 1970, dy vite pasi kishin fituar evropianin. Dy tituj i ka lidhur edhe Franca, por ajo së pari ishte shpallur kampione e botës (1998) e më pas kampione e Evropës (2000).

Spanja për herë të parë luan në finale të botërorit. Spanjollët u kualifikuan në "final-four' të botërorit të vitit 1950, kur garat zhvilloheshin në format tjetër. Katër më të mirët luanin në grup për të përcaktuar kampionin. Spanjollët përfunduan të fundit, pas Uruguait, Brazilit dhe Suedisë.

David Villas i duhet vetëm edhe një gol për të barazuar rekordin e Raulit për më së shumti gola të shënuar për Spanjën. Villa ka 43 gola. Ai tashmë ka barazuar rekordin spanjoll për më së shumti gola të shënuar në një botëror. Pesë gola kishte shënuar edhe Emilio Butragueno në vitin 1986.

Spanja kishte 3.387 pasime të sakta në botëror, më shumë se çdo përfaqësuese tjetër. Holandezët kishin 2.434 pasime të suksesshme. Spanja ka katër pasuesit më të mirë të botërorit, nëse nuk llogaritet këtu ndeshja për vend të tretë. Xavi deri më tani ka pasur 464 pasime të sakta, Busquets 420, Alonso 399 dhe Pique 378.


Stadiumi: "Soccer City", Johannesburg
Kapaciteti: 91.000
E diel (20.30)

Arbitër kryesor: Howard Webb (Angli)

Përbërjet e mundshme:

Holanda (4-2-3-1): Stekelenburg; van der Wiel, Heitinga, Mathijsen, van Bronckhorst; van Bommel, de Jong; Robben, Sneijder, Kuyt; van Persie

Spanja (4-2-3-1): Casillas; Ramos, Pique, Puyol, Capdevila; Busquets, Alonso; Iniesta, Xavi, Pedro; Villa
Shtuar më 11/07/2010, ora 17:12
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori