Sonte ndeshja Uruguai - Gjermania
Albeu.com
Sonte në orën 20:30 përballen dy ish-kampionë të botës. Kjo nuk është hera e parë që këto dy përfaqësuese takohen në takimin e vlefshëm për vendin e tretë.Kampionia e trefishtë e botës, Gjermania, është takuar me kampionin e dyfishtë, Uruguain, edhe në ndeshjen për vend të tretë të Botërorit të vitit 1970. Gjermanët e patën fituar atë takim.
Uruguai ka tejkaluar parashikimet duke u kualifikuar në mesin e katër më të mirëve. Por, uruguajasit shpresojnë se paraqitja e tyre në botëror nuk do të mbahet mend vetëm për goditjen e ndalur me dorë nga Luis Suarez në minutën e fundit të vazhdimeve në ndeshjen çerekfinale kundër Ganës. Sulmuesi Diego Forlan ishte njëri prej yjeve të botërorit dhe shpreson të fitojë titullin e shënuesit më të mirë. Ai mund të shpallet golashënuesi më i mirë vetëm nëse sanon me kohë lëndimin e kofshës që e pësoi në ndeshje me Holandën.
Sulmuesi i Gjermanisë, Miroslav Klose, synon të barazojë rekordin e Ronaldos për më së shumti gola të shënuar në botëror. Ronaldo ka shënuar 15 gola në kampionate botërore, vetëm një më shumë se Klose.
Uruguai dhe Gjermania do të takohen për herë të dhjetë. Uruguai kishte fituar 4:1 përballjen e parë në vitin 1928, por kishte dështuar të fitonte ndonjërën nga tetë ndeshjet pasuese. Gjermania ka fituar gjashtë herë, ndërsa dy ndeshje përfunduan me rezultat të barabartë.
Në kuadër të botërorëve janë takuar tri herë. Në ndeshjen për vend të tretë të botërorit të vitit 1970, Gjermania kishte fituar me rezultat minimal 1:0. Në çerekfinalen e vitit 1966, Gjermania kishte fituar 4:0, ndërsa në botërorin e vitit 1986 kishin barazuar 1:1. Ndeshjen e fundit të luajtur në vitin 1993, Gjermania e kishte fituar me rezultat të thellë, 5:0.
Gjermania për herë të pestë luan për vend të tretë, që është rekord. Kanë fituar tri herë, në vitet 1934, 1970 dhe 2006, ndërsa kanë humbur në vitin 1958.
Shtuar më 10/07/2010, ora 17:05
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori