Sonte ne 21:45, Portugali - Shqiperi
Albeu.com
Kombëtarja shqiptare do të zbresë sonte në stadiumin "Estadio Municipal" në Braga, për të zhvilluar ndeshjen e katërt në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2010 ndaj Portugalisë.Pas tri ndeshjeve të zhvilluara, të dyja skuadrat kanë nga katër pikë, mirëpo në ndeshjen e sotme pa dyshim se skuadra e Karlos Kueirozit është favorite absolute. Përzgjedhësi i kombëtares shqiptare, Ari Han, e ka quajtur si tejet të rëndësishme këtë sfidë, sidomos për kombëtaren portugeze, e cila kërkon kreun e grupit, mirëpo nuk ka fshehur optimizmin e tij për të bërë befasi. "Kjo ndeshje është tejet e rëndësishme për Portugalinë, pasi ajo kërkon të ngjitet në kreun e renditjes, por edhe ne kemi objektivat tonë", ka theksuar Han gjatë konferencës së djeshme me gazetarë në Guimaresh, ku është ambientuar kombëtarja shqiptare. "Ne tashmë e kemi tejkaluar gjendjen e vështirë pas humbjes në Budapest. Shpresoj se në ndeshjen ndaj Portugalisë do të zhvillohet futboll i bukur. Ndaj Hungarisë u ndëshkuam me një gol që mund të evitohej dhe pastaj rrjedha e lojës ndryshojë tërësisht. Jemi të vetëdijshëm se përballja me Portugalinë do të jetë tepër e vështirë, por skuadra ime duhet të reagojë pas asaj humbjeje në Budapest. Madje, unë besoj se do të kemi mundësinë për të bërë befasi", ka nënvizuar Han. Ai më pas ka konfirmuar Canën si titullar në këtë sfidë, ndonëse në Budapest ai përjetoi një lëndim në gju. "Loriku do të jetë në fushë, kurse për Vanxhelin dhe Hykën do të vendosim në çastet e fundit", ka vijuar holandezi i bankinës shqiptare. Ndërkaq i pyetur për kundërshtarin dhe cilësinë e futbollit të tij, Han ka bërë komplimente për të përzgjedhurit e Kueirozit: "Portugalia është një skuadër e madhe, ndër më të mirat në botë. Për këtë ndeshje i mungojnë katër futbollistë të rëndësishëm, por sërish mbetet skuadër e frikshme".

Ronaldo: Shqipërinë duhet ta mbajmë nën
presion
Ylli i kombëtares portugeze, Kristiano Ronaldo beson se Portugalia do të mposhtë Shqipërinë dhe në këtë mënyrë do të fillojë ngjitjen drejt kreut të renditjes. "Ne duhet t'i mbajmë nën presion ata, në mënyrë që të dëshmojmë se jemi favoritë dhe skuadër më e mirë. Duhet të shënojmë gol sa më shpejt që të jetë e mundur", ka thënë Ronaldo. Megjithatë, portugezi ka pranuar se Shqipëria nuk duhet nënçmuar. "Kjo është një skuadër me katër pikë nga tri ndeshje, ashtu sikur ne. Është skuadër që duhet ta respektojmë, por gjithnjë me ambicie për ta mposhtur. Ne duhet të dëshmojmë edhe në fushën e lojës se jemi favoritë", ka nënvizuar Ronaldo. Sipas tij, Shqipëria ka disa futbollistë cilësorë, sidomos në mesfushë dhe në linjat anësore. "Mendoj se ata do të përqendrohen më shumë në mbrojtje dhe do të mundohen që të bëjnë diçka nëpërmjet kundërsulmeve, por besoj se do të gjejmë hapësirën e duhur për t'i ndëshkuar". Në anën tjetër, mbrojtësi i Portos, Bruno Alvesh për duelin e sotëm ndaj Shqipërisë ka pohuar: "Nuk kemi mungesë vetëbesimi. Skuadra është e fortë dhe po punojmë në rritjen e lojës sonë. Gjëja e vetme që duhet përmirësuar është rritja e efikasitetit. Kemi kohë për t'i korrigjuar gjërat dhe besoj se këtë do ta bëjmë duke filluar nga ndeshja me Shqipërinë". Ndeshja Portugali-Shqipëri, zhvillohet sonte në orën 21:45 dhe transmetohet drejtpërdrejt në Supersport 1, në rrjetin kabllor të Ipkos, si dhe në Alsat M. (Kosva Sot)
Shtuar më 15/10/2008, ora 14:54
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori