Sot miqesorja Shqiperi-Mali i Zi
Albeu.com
Trajneri i Malit të Zi Zllatko Kranjcar ka kërkuar patjetër fitore nga ndeshja e sotme me Shqipërinë, e cila sipas tij do t'u sjellë futbollistëve më shumë besim në vetvete në prag të eliminatoreve të Euro 2012.
Duke folur në konferencën e fundit për shtyp përpara kësaj sfide, tekniku ka vlerësuar Josip Kuzhenë si profesionist, por është shprehur se malazezët do të dominojnë që nga fillimi në këtë takim. "Ekipi ynë gëzon një formë të mirë dhe u kam kërkuar futbollistëve dominimin e takimit nga minuta e parë, në mënyrë që të marrim një rezultat të kënaqshëm, - është shprehur Kranjcar. - Në futbollin modern nuk ka të dobët apo të fortë, sidomos në nivele të tilla. Filozofia e futbollit shqiptar është shumë e ngjashme me tonën. Ata janë një ekip i mirë, me një specialist me përvojë dhe kanë marrë shumë rezultate të mira. Në eliminatoret e fundit kanë bërë shumë hapa përpara, por edhe shumë surpriza, siç ishte barazimi me Portugalinë", shton trajneri kroat i Malit të Zi. Kranjcar ka bërë të ditur se skuadra e drejtuar prej tij do të kërkojë fitore në mënyrë që të fitojë më shumë besim në vetvete për eliminatoret e ardhshme. "Shpresoj që në këtë ndeshje në Podgoricë gjithçka të shkojë mbarë dhe ekipi ynë të marrë fitoren. Na duhet suksesi, pasi në këtë mënyrë shtohet besimi në vetvete para fillimit të ndeshjeve kualifikuese për Europianin 2012", ka deklaruar ai. Tekniku kroat nuk e ka pasur problem të bëjë të ditur as formacionin, ku ajo që bie në sy është mungesa e Stefan Jovetiç të Fiorentinës. "Nuk kam dilema në lidhje me formacionin që do të luajë përballë Shqipërisë. Prandaj takimin do ta nisim me këtë përbërje: Bozoviç, Paviçeviç, Basha, Batko, Jovanoviç, Novakoviç, Kashçelan, Bozoviç, Vukçeviç, Vuçiniç dhe Daloviç", tha Kranjcar.
Shqipëria
Ndërkohë, kombëtarja shqiptare ka udhëtuar dje paradite për në Mal të Zi, ku sot në orën 20.15 do të zhvillohet miqësorja e dytë për vitin 2010, pas asaj me Irlandën e Veriut. Ekipi ka udhëtuar me autobus drejt Podgoricës, duke parë edhe largësinë e shkurtër mes dy vendeve. Në fakt, miqësorja me Malin e Zi shihet si një test tepër i rëndësishëm nga trajneri Josip Kuzhe. Sipas tij, loja e skuadrës së Kranjcar është e ngjashme me atë të Rumanisë dhe futbollistët duhet të tregojnë në fushë se e meritojnë të jenë pjesë e kombëtares në eliminatoret e Euro 2012. Kuzhe ka bërë të ditur se do të hedhë në fushë një skuadër me dy sulmues të deklaruar, Bogdani e Salihi, ndërkohë që problemi i vetëm është dëmtimi i Kristi Vangjelit. Në vend të tij, kroati do të hedhë në fushë Agollin në të majtë, ndërsa në mbrojtje do të luajnë edhe Cana, Curri e Dallku. Në mesfushë do të luajnë Bulku, Duro, Skela dhe Lika.
Shtuar më 25/05/2010, ora 15:01
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori