Sot, Shqipëri-Islandë
Kombëtarja shqiptare luan ndeshjen e tretë kualifikuese në Grupin E, për Eleminatoret e "Brazil 2014". Të gjendur në kuotën e tri pikëve, kuqezinjtë sfidojnë rivalin e radhës, Islandën, që ka në krye një trajner suedez, i cili nuk e ka për herë të parë vizitën në "Qemal Stafa". Duke drejtuar Ibrahimoviç me shokë, Lagerbak ka qenë i suksesshëm ndaj Shqipërisë, ndaj me të njëjtën ide vjen edhe si numri një i stolit të ishullorëve.

Megjithatë, referuar faktorit fushë, por edhe pozicioneve respektive në renditjen përkatëse mujore të FIFA-s (Shqipëria e 84-ta, ndërsa Islanda e 97-ta), nuk do ta ketë të lehtë.

Të besuarit e Gianni De Biasit janë superiorë edhe në përballjet direkte me islandezët, teksa kanë dy fitore dhe një humbje, me një golaverazh total prej 4-3. Përballja e fundit me Islandën daton më 31 mars 2004, po në Tiranë, kur tanët fitonin me rezultatin 2-1.

Sipas asaj që shprehu tekniku italian dje në konferencën për shtyp, do të kemi një Shqipëri sulmuese në fushë, ndërsa futbollistët deklaruan se këto dy ndeshje vulosin fatin e sezonit.

Ndaj dhe "Qemal Stafa" duhet mbushur plot sot në 19:00 pasi Kombëtarja ka vërtetë nevojë për tifozerinë e saj. /albeu.com/
Shtuar më 12/10/2012, ora 10:40
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori