Spanja, Del Bosque: S'kemi nevojë për revolucion
Vicente Del Bosque është i bindur kur shprehet se Spanja nuk ka nevojë për revolucion pavarësisht dështimit të madh që përjetoi në "Brazil 2014". "La Roja" mbërriti në vendin e sambas për të mbrojtur titullin Botëror të fituar 4 vjet më parë në Afrikën e Jugut, por Spanja jo vetëm që nuk arriti ta bënte dicka të tillë por u eliminua që në fazën e grupeve pas dy humbjeve shokuese që pësoi përballë Holandës dhe Kilit.

Gjithsesi tekniku spanjoll ka besim te futbollistët që ka në dispozicion dhe sipas tij Spanja mund të rikthehet te suksesi edhe duke patur në skuadër një pjesë të madhe të futbollistëve që mbrojtën ngjyrat e iberikëve edhe në Botërorin e Brazilit.

"Pavarësisht dështimit në Brazil unë mendoj se në skuadër nuk duhet të ndryshojnë shumë gjëra që Spanja te jetë sërish e suksesshme. Mendoj se në një të ardhme të afërt me këtë futbollistë që kemi në dispozicion ne mund të fitojmë përsëri trofe të ndryshëm. Kur unë kam mbërritur përpara 6-vitesh kam gjetur një brez të shkëlqyer lojtarësh. Unë dhe stafi im jemi me fat që kemi përjetuar suksese kaq të mëdha së bashku me këta futbollistë. Megjithatë ne të gjithë si grup nuk kemi përjetuar vetëm fitore të mëdha por edhe humbje të tilla si për shembull në Botërorin e Brazili ku u eliminuam që në fazën e grupeve", është shprehur Del Bosque.

Pas Kupës së Botës, Del Bosques i është dashur të bëjë një revolucion të vogël në skuadër pasi lojtarë të tillë si Xavi Hernandez dhe Xabi Alonso dhe David Villa i kanë dhënë lamtumirën kombëtares spanjolle, ndërsa sulmuesi Fernando Torres për shkak të rendimentit të dobët që ka shfaqur në sezonet e fundit nuk grumbullohet më nga numri 1 i stolit të Spanjës.

"Kemi bërë disa ndryshime të vogla për vetë faktin se që të fitosh sërish duhet të ndërthurësh eksperiencën me elementin e ri. Ne si staf teknik kemi vënë re që këta futbollistë të rinj që janë sot pjesë e Spanjës, kanë arritur të korrin shumë suksese me përfaqësueset e moshave dhe të njëjtën gjë mund të bëjnë edhe me kombëtaren e madhe. Por dicka e tillë nuk do të thotë që ne nuk do të besojmë më te lojtarët me eksperiencë. Kemi në skuadër shumë futbollistë që janë rreth të 30-ave dhe me një ndërthurje të tillë në ekip unë kam besim se Spanja do të ngjitet sërish në majat e futbollit europian dhe atij Botëror", përfundoi ai. /albeu.com/
Shtuar më 13/11/2014, ora 16:42
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori