Spanja eksperimenton përballë Venezuelës
Del Bosque
Kampionët e Evropës do të presin në stadiumin e Malagas kombëtaren e Venezuelës për të zhvilluar testin e radhës në prag të startit të Euro 2012-ës. Trajneri i Spanjës, Vincente Del Bosque, ka zgjedhur të eksperimentojë duke zbuluar edhe detaje të tjera mbi skemat e tij moderne. Duke mos thirrur bomberin e Chelsea, Fernando Torres, dhe pa patur në dispozicion të dëmtuarin David Villa, mjeshtri spanjoll u ka dhënë prioritet pesë sulmuesve Llorentes, Muniain, Negredo, Soldado dhe Mata.

Gjithashtu, një ndryshim do të ketë dhe në pozicionimin Sergio Ramos, i cili nga mbrojtës i djathtë do të kalojë në qendërmbrojtje. Gjatë konferencës për shtyp trajneri Del Bosque e ka përgëzuar konkurrencën mes Barçës dhe Realit, i cili dëshiron që ato të përballen në finalen e Championsit, si dhe ka dhënë mendimin e tij mbi këtë miqësore.

“Jam shumë i lumtur që skuadrat spanjolle vazhdojnë të thyejnë konkurrencën ndërkombëtare. Shpresoj që finalja e Champions-it të jetë një sfidë mes Barçës dhe Realit”,- tha Del Bosque duke shtuar: “U përpoqa të thërrisja lojtarët më të mirë. Kam vendosur të eksperimentoj dhe e shoh të arsyeshme një spostim të Ramosit në qendërmbrojtje. Edhe pse është një miqësore, do të jetë gabimi më i madh nëse do t’i’ nënvlerësojmë miqtë. Presim një rivale të fortë si Venezuela, e cila ka lojtarë shumë cilësorë dhe, mbi të gjitha, ka një trajner mjaft të mirë”,- deklaroi trajneri spanjoll, i cili në miqësoren e vjetshme ndaj tyre fitoi 3-0.

Gjatë seancave stërvitore mediat kanë zbuluar se Vincente Del Bosque ka përzgjedhur dy formacione të ndryshme. /albeu.com/
Shtuar më 29/02/2012, ora 12:44
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori