Pasi zyrtarizuan 23 futbollistët për Kupën e Botës "Brazil 2014", Kombëtarja e Spanjës po bën përgatitjet e fundit për të udhëtuar drejt
Brazilit, aty ku do të kërkojë të mbrojtë titullin e fituar 4 vjet më parë në Afrikën e Jugut. Ndërkohë, Federata spanjolle e Futbollit ka bërë të ditur se kampionët e botës në fuqi do të priten nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack
Obama, në Shtëpinë e Bardhë gjatë kësaj jave.
Vicente del Bosque dhe skuadra e drejtuar prej tij ndihen gati për të udhëtuar nga Madridi drejt Washingtonit, pasi kanë marrë miratimin nga kryeministri Mariano Rajoy. Përfaqësuesja iberike do të qëndrojë në SHBA për 5 ditë, për të vazhduar përgatitjet për Botërorin, e atje do të pritet me një mirënjohje të veçantë për një ekip sportiv jo amerikan nga presidenti
Obama.
Spanja do të luajë ndeshjen e fundit miqësorë përpara Botërorit kundër El Salvadorit, të shtunën në Uashington, më pas do të niset drejt vendgrumbullimit në Brazil, në Curitiba, ku do të vizitohet edhe nga presidentja e
Brazilit, Dilma Rousseff.
Kampionët e Botës dhe të Europës do të debutojnë në grupin B kundër Holandës, rival që e kanë mposhtur në finalen e Afrikës së Jugut 2010, më 13 qershor. Më pas do të ndeshet edhe me Kilin dhe Australinë.
Spanja do të përpiqet të bëhet e para skuadër europiane që fiton Kupën e Botës në kontinentin amerikano-jugor, si dhe e treta që fiton dy Botërorë radhazi, pas Italisë dhe
Brazilit. /albeu.com/
Shtuar më 03/06/2014,
ora 11:22