Stadiumi Kombëtar mbetet vetëm në letër, projekti tani vlerësohet shumë i shtrenjtë
Ka kaluar më shumë se një vit prej se është prezantuar maketi i Stadiumi Kombëtar të Kosovës. Ishte premtuar se objekti gjigant do të nisë së ndërtuari pas dy apo tre muajsh, në afërsi të Drenasit, posa të përfundonin procedurat e nevojshme.

Përgjegjësit kishin thënë se kostoja e ndërtimit nuk do të jetë më e madhe se 50 milionë euro.

Por, ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, gjatë raportimit në Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, ka thënë se stadiumi parashihet të kushtojë nga 70 deri në 100 milionë euro. Ajo ka raportuar të martën.

Rritja e kostos është kritikuar nga ish-ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi.

Gashi për KOHËN ka thënë se nuk mund të paragjykohet kostoja derisa, sipas tij, nuk janë zhvilluar procedurat e ofertimit.

Por, ministrja aktuale Dumoshi, ka lënë të kuptohet se momenti i fillimit të ndërtimit nuk është afër.

“Ne e kemi projektin e fizibilitetit i cili ka përfunduar, tash do të bëhet edhe një komision i cili do ta rishikojë komplet edhe një herë projektin. Projekti është shumë i kushtueshëm. Ne e dimë që këtë vit, siç e potencova, deri në muajin gusht nuk kemi mundur të nisim asnjë procedurë të aktivitetit të prokurimit. Pothuajse është vit i humbur për investimet kapitale. Aty parashihen diku 70 milionë deri në 100 milionë për t’u kryer stadiumi. Besoj që duhet bërë një zgjidhje, se a ka Republika e Kosovës një buxhet të tillë për ndërtimin e këtij stadiumi në këtë fazë, apo duhet të shihet edhe partneriteti publiko-privat”, tha Dumoshi në raportim.

Ish-ministri Gashi, që vjen nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, insiston se rritja e kostos për ndërtimin e stadiumit është tendencë për të mos e realizuar projektin. Ai shkon edhe më larg, duke theksuar se zgjatja e fillimit të punimeve është tentim për ta ndryshuar edhe lokacionin, nga Korretica në Bërnicë, vend ku edhe në fillim ishte caktuar të realizohej projekti kapital më i madh në histori të vendit sa u takon investimeve.

“Unë mendoj se askush nuk mund ta paragjykojë koston përderisa nuk janë zhvilluar ofertat. Projekti është menduar të mos e kalojë koston e 50 milionë eurove. Mendoj se këto janë tendenca për të mos e realizuar këtë projekt, për më keq, me këtë neglizhencë po tentohet të ndryshohet ndoshta edhe lokacioni i stadiumit”, ka thënë Gashi.

Stadiumi kombëtar është projekt i MKRS-së, ndërsa për të ka të paktën gjashtë vjet që flitet nëpër qarqet politike e sportive. Fillimisht është dashur të ndërtohej në një hapësirë në Komunën e Prishtinës, por më pas u ndërrua lokacioni dhe u vendos për një hapësirë në mes të Aeroportit të Prishtinës dhe Komunës së Drenasit. Vendimi për ndërrim të lokacionit ishte përcjellë me debate të shumta. Vlerësohej se ka dorë politika.

Stadiumi është paraparë të kushtojë deri në 50 milionë euro dhe është thënë se do të jetë një stadium i bukur me një kompleks përcjellës dhe do të ketë një kapacitet me 30 mijë ulëse.

Në fakt, vetëm projektimi i stadiumit shtetit i kushtoi një milion e 440 mijë euro, e ku 10 për qind e kësaj shume, sipas ligjeve në Republikën e Kosovës, është dashur të paguhej tatim nga kompania turke që ka bërë projektin. Por, kompania nuk e ka paguar tatimin pasi nuk ishte e obliguar me kontratë. Ministria e Financave e ka ekzekutuar pagesën për kompaninë turke, e cila e kishte hartuar projektin e stadiumit kombëtar të Kosovës, duke marrë paratë e disa projekteve që i kishte planifikuar MKRS-ja.

Këtë vit është thënë nga zyrtarë të MKRS-së se lokacioni i stadiumit, që vazhdon të jetë vetëm në letër e maket, mund të ndryshohet sërish, përkatësisht të kthehet në Bërnicë të Prishtinës, që ishte edhe ideja fillestare.

Vendimi për ndërtimin e stadiumit kombëtar është marrë në vitin 2014 nga ish-kryeministri Hashim Thaçi, tani president i vendit.
Shtuar më 29/09/2020, ora 22:42
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori