Starova tregon përplasjen që pati me Lorenc Trashin: Të hedhësh fanellën, kjo është e pafalshme!
Do të duhej të ishte njeriu që të rikthente titullin te Partizani pas 24 vitesh, por në fakt është bërë si rrufepritës duke marrë goditje të vazhdueshme. Ndonjëherë nga kundërshtarët, ndonjëherë nga fati dhe, në disa raste, edhe nga brenda “shtëpisë” së tij.

Sulejman Starova nuk ka droje të flasë për debatin e ashpër me Trashin dhe ta qortojë atë publikisht se si, në këtë moment delikat të Partizanit, nuk merr pak më shumë përgjegjësi dhe të ndihmojë ekipin në harmoninë e klubit.

Por ky është pretendimi i Starovës natyrisht, pasi Trashi, nga ana tjetër, thotë se ka marrë fyerje nga trajneri dhe se ky i ka thënë se nuk është në planet e tij. Këtë të fundit “Bobi” e mohon kategorikisht.

Starova, çfarë ndodhi me Trashin?

"Patëm një debat dhe kjo edhe mund të ndodhë. Gjithkush mund të bëjë debate në punë…

• A keni kërkuar largimin e tij nga Partizani?

"Kam kërkuar zëvendësimin e tij në fushë dhe jo largimin nga Partizani. Janë dy gjëra të ndryshme. Por, natyrisht që u zhgënjeva nga sjellja e Trashit. Ai është një lojtar i rëndësishëm, por nuk mund të dalë mbi Partizanin. As ai, as unë dhe as ndonjë tjetër.

• Çfarë ndodhi mes jush?

"Nisi të ankohej pse u zëvendësua 15 minuta nga fundi në një ndeshje miqësore fare normale. A ka kuptim kjo?! Si mundet të shfryjë një futbollist për një ndeshje miqësore, për të cilat unë them gjithnjë se rezultati vjen në plan të dytë.

• Trashi thotë se ju e keni ofenduar?

"Në fakt, është e kundërta. Ofendim më të madh për trajnerin dhe për klubin nuk ka se sa të hedhësh fanellën. U ankua për zëvendësimin, dakord, nuk po i kushtojmë rëndësi, por të hedhësh fanellën dhe të grindesh tërë kohën, kjo është e pafalshme!" është shprehur Starova. /albeu.com/
Shtuar më 18/01/2018, ora 18:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori