Statistika dhe të dhëna për "Elbasan Arena"-n (FOTO LAJM)

Pëlqej
"Elbasan Arena", stadiumi me të cilin futbolli shqiptar do të prezantohet nga tetori e më tej po shkon drejt përfundimit. Pas shumë vitesh deklaratash dhe premtimesh boshe për një stadium të ri, futbolli shqiptar, Kombëtarja jonë do ketë një shtëpi dinjitoze, nga e cila duhet pranuar se kanë përfituar të gjithë.

Stadiumi - Për të ardhur te stadiumi, i cili të bën përshtypje që në sheshin e sistemuar, ku sipas informacioneve do të parkohen lehtësisht të paktën 400 makina. Ndërsa pjesa ballore, në pritje të vetratave të xhamit dhe lyerjes, gjithsesi të jep përshtypjen e një impianti modern dhe bashkëkohor. Pjesa më e rëndësishme e stadiumit, fusha dhe dhomat e zhveshjes, kanë kohë që kanë përfunduar dhe tani kanë mbetur vetëm anët teknike për t’i vënë përfundimisht "vulën".

Çdo gjë është bërë nën supervizionin e rreptë të UEFA-s, nga e cila do të merret edhe OK-i për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare të Kombëtares sonë të futbollit. Kështu, në ambientet e brendshme ka filluar shtrimi me pllaka i dhomave dhe zyrave, si në katin e parë edhe në të dytin, aty ku pritet të jetë gjithçka në kushte sa më optimale. Punohet në çdo cep të impiantit, si një sfidë me kohën.

Detajet - Përpos zhvillimeve në ambientet e brendshme të impiantit, dje janë parë edhe punonjës që po merreshin me ndriçimin e stadiumit. Në të katër anët janë vendosur kullat me prozhektorët e shumtë dhe dje kompania ndërtuese ka bërë edhe testin e parë. Duke qenë se në "Elbasan Arena" do të luajë ndeshjet Kombëtarja shqiptare, atëherë ndriçimi mbetet një element thelbësor, pasi në thuajse të gjitha rastet kuqezinjtë i luajnë takimet e tyre në mbrëmje.

Ndonëse mësohet se impianti i ndriçimit ka qenë i projektuar që para shumë vitesh, me idenë që në stadiumin e Elbasanit do të luheshin takime edhe në mbrëmje, kjo gjë nuk është bërë realisht asnjëherë. Shkak janë bërë vjedhjet e kabllove, si dhe kostoja e lartë e ndriçimit, sidomos kur bëhej fjalë për ndeshje të Kategorisë Superiore. Por, tjetër gjë tani. Impianti më modern në vend është në përfundim e sipër, duke i ndryshuar imazhin më së pari Elbasanit.

Duket se të paktën këtë herë slogani: "të gjitha rrugët të çojnë në Elbasan Arena", është përcjellë më së miri si nga qeveria shqiptare, nga FSHF-ja, por edhe nga autoritetet lokale. /albeu.com/

STATISTIKA DHE TË DHËNA PËR STADIUMIN "Elbasan Arena":

1. Sstadiumi do të ketë 12500 vende të ulura.

2. Impianti do ketë pistë tartani, me gjashtë korsi

vrapimi.

3. Është rikonstruktuar totalisht fusha, anësoret dhe përkarshi.

4. Janë ndryshuar totalisht ambientet e brendshme, dhomat e zhveshjes dhe tualetet.

5. Janë projektuar në tribunën qendrore rreth 400 vende për VIP-at dhe rreth 100 vende për median e shkruar dhe vizive.

6. Në pjesën qendrore do të ketë ambiente çlodhëse si bar, kafene e restorante.

7. Para stadiumit do të ketë parking për 400 automjete.

8. Ish-"Ruzhdi Bizhuta" është inauguruar për herë të parë në 1967-ën dhe ka qenë e mbetet shtëpia e KF Elbasani.

9. Stadiumi ka pësuar një rikonstruksion të madh, por të pjesshëm në 2004-ën.

Kërkesa e UEFA-s, 100 km larg aeroportit

Deri vitin e shkuar qeveria shqiptare dhe FSHF-ja nuk kishin një ide në lidhje me stadiumin e ri, por ndërhyrja e UEFA-s bëri që në fillim të vitit të merrej një vendim: shteti shqiptar do të jepte paratë për rikonstruksionin e një impianti ekzistues, ndërkohë që "Qemal Stafa" do të ndërtohej në një moment të mëvonshëm, sipas parametrave më të larta. Ky vendim u vulos më datë 18 Shkurt, ditë kur Shqipërinë e vizitoi edhe Presidenti i UEFA-s, Michel Platini.

Elbasani u zgjodh si impianti ku do investohej, pasi, me ndërtimin e rrugës së re (tunelit të Qafë Krrabës), ndodhet më afër se qytetet e tjera me aeroportin ndërkombëtar "Nënë Tereza". FIFA dhe UEFA kanë kusht që stadiumi ku luhet një ndeshje ndërkombëtare të mos jetë më larg se 100 km nga aeroporti, kusht të cilin e plotëson natyrisht Elbasani.

Shtuar më 04/09/2014, ora 11:19
Enver Gjoniku
e Enjte 4 Shtator 2014, Ora 20:54
A do kete tabela electronike ne anet e fushes ????
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori