"Stop negociatave, s'e duam Di Maria-n"
Pëlqej
Fati i Angel Di Maria-s duket se do të jetë te Real Madrid edhe sezonin tjetër, ndonëse argjentinasi e dëshiron me çdo kusht largimin nga "Santiago Bernabeu". Shpresat mesfushori i mbante varur te Paris Saint Germain, por presidenti Nasser Al-Khelaifi ka lëshuar deklaratën bombastike që shton edhe me shumë makthin për Di Marian.

"Është e vërtetë që kemi patur bisedime me presidentin Perez, por Di Maria kushton shumë, kështu që i kemi dhënë fund tratativave me Real Madrid", ka thënë numri i PSG-së.

Gjithsesi për ish yllin e Benfikës mbetet pista Manchester United në horizont, por edhe këtu ka disa pengesa pasi Van Gaal duhet të shesë më parë për t’i hapur derën argjentinasit. Refuzimi nga parizienët ndërkohë nuk mund të konsiderohet totalisht i papritur.

Në jo pak raste trajneri Laurent Blanc ka paralajmëruar se Parisi duhet të jetë i kujdesshëm me shpenzimet në merkato, sidomos pas gjobës 60 milionë Euroshe për mosrespektimin e Fair-Play financiar.

Një nga kushtet e vendosura është reduktimi i skuadrës me 21 lojtarë për në Champions League dhe nëse kjo pikë, bashkë me disa të tjera, do të respektohen me rigorozitet, atëherë në arkat e klubit do të kthehen 40 milionë Euro nga gjoba që i është paguar UEFA-s.

Përsa i përket Di Marias, 26-vjeçari ka një kontratë deri në 2018-ën me "Los Blancos" dhe për ta shkëputur para kohe nga madrilenët, 60 milionë euro do të ishin mëse të mjaftueshme. /albeu.com/
Shtuar më 07/08/2014, ora 14:34
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori