"Strakosha më bën me zemër, qesha kur Duka më kërkoi Europianin 2024"
Edoardo Reja, trajneri i kombëtares, pas kalimit në Ligën B në Nations League, ka folur për “La Repubblica” në Itali dhe rrëfen arritjen e bërë, projektin me Shqipërinë, bisedën me Dukën dhe në fund ka diçka edhe për Thomas Strakoshën.

OBJEKTIVI – “Kemi shkuar mbi pritshmëritë. ishim në vështirësi të mëdha, për shkak të COVID-19 dhe dëmtime. Ftuam 23 lojtarë nga 36 dhe është një arritje që vlen dyfish. Kush e kishte pritur? Kishim në ekip djem që as nuk luanin, lojtarë që edhe në Serie B nuk vlerësohen aq shumë nga klubet e tyre. Në kombëtare ata treguan shpirt të lartë gare dhe angazhim dhe e shfrytëzuam në maksimum”.

PROJEKTI – “Problemi i vërtetë është që nuk ka as edhe një lojtar në Shqipëri, janë të gjithë zvicerane, francezë, holandezë. Duhet të dalësh e ti gjesh vërdallë, nuk është një punë për qejf. Kemi Brojën, i datëlindjes 2001, i cili luan me Vitesse dhe është shumë interesant. kam ftuar edhe Çepele, një mbrojtës 17-vjeçar që ka qenë me Interin dhe tani është në Bundesliga 2 me Hannover. Kemi shumë të rinj dhe synimi është që t’i rrisim ata”.

“Sapo arrita në Shqipëri, presidenti më kërkoi që të përgatiteshim sa më mirë për EURO 2024. Fillimisht qesha dhe iu përgjigja se nuk mund ta bëj këtë deri 80 vjeç, por për aq kohë sa jam i kthjellët nga mendja, do vazhdoj me këtë projekt që më pëlqen dhe më përfshin. Qëllimi është të zhvillojmë talentet e rinj që nuk janë zhvilluar ende. COVID na ngadalësoi pak, por e kemi nisur me këmbën e djathtë”.

PORTIERI – “Mendoj se Strakosha do të mësojë shumë nga një portier me përvojë dhe personalitet si Reina. Mendoj se Lazio prandaj e ka marrë, Reina është një lider dhe e ndjek e gjithë skuadra. Sot kërkojmë portierë që dinë të luajnë me këmbët dhe Strakosha është i zoti në këtë gjë, por ndonjëherë e ekzagjeron dhe rrezikon shumë, duke më trembur”, përfundon Reja.
Shtuar më 20/11/2020, ora 13:52
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori