Suarez kërkon falje: Paguaj gabimin e bërë
Pëlqej
Luis Suarez tani mund të stërvitet me Barcelonën, proces të cilin e fitoi pas vendimit të KAS-it në Lozanë dhe e zbatoi që të premten paradite. Megjithatë, sulmuesi uruguajan e di se nga kjo e premte e deri në fund të tetorit nuk mund të luajë asnjë ndeshje zyrtare. Dhe mos harroni arsyen e dënimit të tij nga FIFA, ka të bëjë me kafshimin që i bëri në shpatull mbrojtësit të Italisë, Giorgio Chiellini, gjatë përplasjes së dy kombëtareve në fazën e grupeve të Kupës së Botës së kësaj vere në brazil.

"Unë jam duke paguar një gabim që kam bërë dhe tashmë kërkoj falje", shprehet në faqen e internetit të klubit katalanas sulmuesi i transferuar për shumën e 80 milionë eurove nga Liverpool.

Duke folur rreth sanksionit të FIFA-s, Luis Suarez tha: "Ishte një situatë që më bëri të pakëndshëm sportivisht në një moment pikant, sikurse janë finalet e Botërorit. Unë jam duke paguar një gabim që kam bërë dhe tashmë kërkoj falje, por kjo duhet të harrohet".

Lojtari më i mirë në Premier League për sezonin e shkuar tregoi edhe mbresat e ditës së parë të stërvitjes me Barcelonën: "Unë jam shumë i lumtur që të kthehem në fushat e stërvitjes. Tani ndjehem lojtar futbolli, duke qenë me shokët e skuadrës. Me të vërtetë, mezi kam pritur të filloj e të stërvitem me ngarkesë të plotë".

Po si e parashikon të ardhmen te Barça? Suarez përgjigjet: "E ardhmja do të jetë emocionuese dhe me trofe, sikurse ndodh gjithmonë te Barcelona, Tani jam pjesë e klubit që kisha ëndërruar për të luajtur me të".

Po debutimi në "Camp Nou", a i duket i largët sulmuesit uruguajan? "Natyrisht, mezi po pres që të luaj përsëri. Ku ka më bukur se të kesh kontakte me tifozët dhe të përjetosh ndjenjën e të luajturit në një stadium si "Camp Nou". I jam shumë mirënjohës klubit katalanas për gjithcka ka bërë për mua në javët e fundit. Më kanë trajtuar shumë mirë dhe mezi pres të përmbush një sfidë të madhe, për të luajtur e fituar sa më shumë trofe me këtë klub". /albeu.com/
Shtuar më 15/08/2014, ora 16:30
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori