SuperBogdani i zbeh festën Ukrainës
Albeu.com
Kuqezinjtë barazojnë 2-2 në Dnjepropetrovsk me Ukrainën, duke siguruar vendin e 5-të me 13 pikët e grumbulluara.Mbrëmë e kemi prekur me dorë fitoren në Ukrainë ndaj skuadrës vendëse, e para në grup, e kualifikuar tashmë për në finalet e botërorit 2006, që s'e njihte humbjen në këto eliminatore. Kemi qenë fare pranë një fitoreje, që për nga përmasat, nëse do ta ruanim avantazhin e 2 golave të superBogdanit, kundrejt golit të Shevçenkos, deri 10 minuta para përfundimit të ndeshjes, do të vinte pas asaj të 4 shtatorit të vitit të kaluar me kampionen e Europës, Greqinë. Dhe nëse do të kishte rezultuar kështu, do të mbeteshim në historinë e këtyre eliminatoreve të grupit të dytë si skuadra që theu kampionët e Europës dhe mundi brenda në shtëpi skuadrën e kreut të grupit, të pathyeshme në asnjë ndeshje, Ukrainën. Por jemi ndëshkuar shumë shpejt, vetëm pak minuta pas golit të dytë të Bogdanit, duke treguar se jemi aq "të pjekur" sa të administrojmë një avantazh të tillë edhe për 10 minuta. Gjithsesi, mbrëmë kemi parë ndoshta kombëtaren më të mirë të ndeshjeve të këtyre eliminatoreve, përjashto këtu ndeshjen me Greqinë. Jo se nuk kanë gabuar, por me në krye superBogdanin, që s'i ka lënë asgjë mangut "Topit të artë" të Ukrainës, Shevçenkos, madje mbrëmë ka shkëlqyer më shumë se ai, kuqezinjtë tanë kanë ditur të maten denjësisht me ukrainasit e strategut Oleg Bllohin, të cilit i ka ikur fytyra 10 minuta para finishit të lojës, kur ka parë kombëtaren shqiptare të përmbysë rezultatin në 2-1. E meqë jemi te dy "kullat e regjisë", duhet thënë se një rol deciziv në kthesën e ndeshjes së mbrëmshme nga kombëtarja jonë ka edhe trajneri Brigel, "karta" e të cilit, Kapllani, që ka zënë vendin e kapitenit Tare, ka rezultuar tepër efikase. Nga këmbët e shqiptarit të Karlsruhes ka marrë jetë edhe goli i barazimit për ne, i shënuar mjeshtërisht nga superBogdani, ndërkohë që kjo i ka dhënë zemër kombëtares sonë, e cila ka filluar të besojë më shumë në vetvete, derisa ka ndodhur, si të thuash, mrekullia. Kombinimi perfekt Cana-superBogdani, i ndihmuar disi edhe nga një shushatje e mbrojtjes vendëse, është konvertuar në golin e dytë për tanët, të cilët e kanë parë veten në "qiellin e shtatë". Por nuk ia kemi arritur ta ruajmë fitoren, edhe pse kishin mbetur pak minuta nga vërshëllima e gjyqtarit të ndeshjes, sa për meritë të të zotëve të shtëpisë, të cilët janë hedhur totalisht në sulm, në kërkim të barazimit, aq edhe për mangësi të mbrojtjes sonë dhe deri diku të portierit Lika. Nëse do t'i bëjmë një "skaner" të shpejtë lojës së kombëtares sonë ndaj Ukrainës, pika më e dobët ka qenë mbrojtja. Kjo e fundit, ashtu si në disa ndeshje të tjera, mbrëmë ka qenë reparti më në hije i kuqezinjve tanë. Veçanërisht Hasi dhe Aliaj kanë stonuar jo pak në mjaft raste, të cilat, fatmirësisht për ne, janë shpërdoruar nga kundërshtarët. Fakti që ata nuk kanë luajtur rregullisht me skuadrat e tyre (Aliaj ka qenë i dëmtuar, ndërsa Hasi ka ngrohur stolin) ka bërë që të dy të shfaqnin momente pasigurie. Prezantim i mirë duhet vlerësuar për Dallkun, i cili gjithsesi nuk është në gjendje të ndërtojë aksione nga krahu për tanët, aq më tepër për të dhënë krosin përfundimtar për sulmuesit tanë. Ndeshje pozitive duhet vlerësuar për Elvin Beqirin, i cili ka mbyllur mjaft shtigje në prapavijën kuqezi. Për të ecur më përpara, me reparin e mesfushës, të cilit i ka munguar ai "dirigjenti" i zakonshëm, jo fizikisht, por me klasin e qarkullimit të topit dhe inspirimin e aksioneve sulmuese për kuqezinjtë. Fjala është për Ervin Skelën, i cili ka qenë disi në hije në ndeshjen e mbrëmshme. Sidoqoftë, kanë kompensuar gjithçka mirë Cana, Lala dhe Haxhi. Për të ardhur te sulmi i kombëtares sonë, të cilit nuk kishte se si t'i mungonte një superBogdan rrëzëllitës, në top-formë, me veprime elegante dhe me gjuajtjen "vrastare" për portierin kundërshtar. E ka kërkuar "me dhunë", si të thuash golin, dhe e ka gjetur dy herë, duke rezultuar kështu njeriu i ndeshjes për kuqezinjtë tanë. Përkrah tij ka qenë që në fillim të lojës kapiteni Tare, i cili ka vepruar mirë në lojën në ajër, në disa raste edhe në fazën mbrojtëse, kur kundërshtari ekzekutonte goditjet nga këndi, por nuk e kishte freskinë e duhur fizike. Ndoshta dëmtimi që ka kaluar dhe mosaktivizimi prej disa kohësh ka ndikuar që gjiganti ynë kuqezi të mos ishte në 100 për qind të mundësive të tij. Sidoqoftë, e ka mbajtur nën presion mbrojtjen vendëse gjatë gjithë kohës, deri kur është zëvendësuar nga Kapllani. Sikurse e thamë edhe në fillim, futja e këtij të fundit ka ndryshuar rrjedhën e lojës. Pasi ka mbrojtur bukur një top të marrë nga mesi i fushës, Kapllani jep një asist për superBogdanin, i cili "pikturon" golin e barazimit për tanët. Pak minuta më vonë, vërshimi i Canës nga mesfusha përfundon me një pasim perfekt për njeriun-gol të kuqezinjve, superBogdanin, i cili i çon kuqezinjtë në "qiellin e shtatë". Por gëzimi i fitores nuk ka zgjatur shumë, pasi vendësit kanë barazuar shpejt. Gjithsesi, i kemi rezistuar barazimit, të cilin e kemi merituar plotësisht ndaj një kundërshtari që nuk e njihte humbjen në këto eliminatiore dhe që e kishte prerë "biletën" për në finalet e botërorit 2006. Kemi qenë fare pranë "mrekullisë", që do të kthehej në "tragjedi" për ukrainasit, të cilit e kishin nisur që para ndeshjes festën e fitimit të së drejtës për të qenë pjesë e finaleve të Botërorit të Gjermanisë. Jemi mjaftuar me një pikë, e cila vendos një rekord të ri për kombëtaren tonë, që e sheh veten tashmë të sigurt në vendin e pestë, pas barazimit të Gjeorgjisë mbrëmë me Kazakistanin.
E megjithatë, historia nuk ka përfunduar këtu. Të mërkurën na pret sfida me Turqinë, fati i së cilës varet nga kombëtarja jonë. Nëse u bëmë një nisje të mrekullueshme këtyre eliminatoreve, kur fituam me kampionen e Europës, Greqinë, kemi rastin që edhe siparin e kësaj faze kualifikuese ta ulim me një tjetër fitore, kësaj here me Turqinë. Pika e marrë mbrëmë dhe loja e mirë e kuqezinjve ndaj Ukrainës është një ogur i mirë për këtë. Fundja, kombëtarja jonë, pavarësisht pikëve rekord të grumbulluara deri më tani, tashmë është kthyer në pikë referimi për grupin e dytë dhe në "xhami", ku duhet të falen skuadrat e tjera, që ende shpresojnë për një vend në botërorin 2006. Sporti Shqiptar
Shtuar më 09/10/2005, ora 17:26
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori