Superiorja, ja shanset e titullit për 4 ekipet e kreut
Zeqiri dhe Shkëmbi gjatë një prej përballjeve Skënderbeu-Kukësi
Fitorja e Skënderbeut përballë Partizanit dhe barazimi i fundit i Kukësit në shtëpi ndaj Laçit e ka futur Superligën shqiptare në një fazë kritike përsa i përket titullit kampion, pasi diferenca mes skuadrave të kreut është vetëm 4 pikë.

Kur kanë mbetur edhe 6 javë deri në fërshëllimën e fundit, Skënderbeu, Kukësi, Tirana e më pak Partizani, janë ekipet pretendente për t’u shpallur kampion të Shqipërisë, trofe ky që i siguron fituesit pjesëmarrjen në paraeleminatoret e Champions League.

Skuadra korçare, që kryeson me 63 pikë, do të ketë dy transferta mjaft të vështira, atë me Kukësin dhe Tiranën. Fitorja me këto dy rivalë, sigurisht duke mos anashkaluar 4 sfidat e tjera, do të bënte që Skënderbeu të hynte në histori si ekipi i parë që fiton 5 kampionate radhazi.

Ndryshe është situata për Kukësin dhe Tiranën, të cilët kanë një kalendar më të fortë e më të ngjeshur, pasi përveç përballjes me njëra-tjetrën do të ndeshen në transfertë me Partizanin dhe në fushën e tyre me Skënderbeun. Për të ndryshuar status dhe për ta merituar titullin kampion, kuksianët duhet të fitojnë edhe me 3 kundërshtarët direkt.

Tirana, e treta në renditje, e mbyll sezonin me 78 pike nëse i fiton të gjitha ndeshjet dhe me shumë gjasa rikthehet pas 6 vjetësh si kampione e Shqipërisë.

Matematika i jep më shumë mundësinë 3 skuadrave të para në renditje, ndërkohë që për Partizanin shanset për kampion janë më të pakta. Një gabim i vogël në 6 javët e mbetura do të ishte fatal për "Të Kuqtë" e Shpëtim Duros, të cilët dalin automatikisht jashtë garës për titull, përcjell TCH.

Gjithsesi një gjë është e sigurt, përtej prestigjit që të jep titulli, kampioni i këtij sezoni do të përfitojë një shpërblim të majmë, 10 milionë lekë nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe 300 mijë euro për pjesëmarrjen në paraeleminatoret e Champions League. /albeu.com/
Shtuar më 15/04/2015, ora 11:46
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori