Supersfida, Korça "kryeqytet"
Vetëm pak orë na ndajnë nga supersfida e javës së 21 të Kategorisë Superiore, Skënderbeu-Tirana, e cila konsiderohet edhe si një finale e parakohshme, pasi pritet të rezultojë vendimtare në luftën për titull.

Numërimi mbrapsht ka filluar, skuadrat përgatiten të ndezin motorët, ndërsa ambiciet janë maksimale. Do të jetë një sfidë vendimtare, për të parë se cila nga të dyja skuadrat do t’i afrohet më shumë trofeut më të lakmuar. Këtë e ka të qartë edhe presidenti i korçarëve, Agim Zeqo, që nënvijëzon se kjo sfidë do të jetë përcaktuese, por pa anashkaluar edhe ndeshjet e mbetura deri në fund të sezonit.

“Kemi një nga ndeshjet më të rëndësishme, u shpreh dje Zeqo, i cili u ka ofruar 100 mijë euro të tijve për fitoren ndaj Tiranës. Kampionati është në një faze delikate, ku mendohet se do të ndahet shapi nga sheqeri. Kampionati ka ende edhe 6 javë. Një barazim i mundshëm do të favorizonte Teutën. Jemi shumë të fortë në fushën tonë, kemi bërë vetëm një gabim, pikërisht në sfidën ndaj skuadrës durrsake. Në fushën tonë premtojmë se do të marrim maksimumin kundër Tiranës”.

Sikurse është bërë e ditur deri tani, janë shitur të gjitha biletat e mundshme dhe stadiumi “Skënderbeu” do të jetë i mbushur. “Më vjen mirë që stadiumi do të mbushet plot, rrëfen Zeqo. Është një ndeshje vendimtare. Jam i bindur se tifozët do të krijojnë një atmosferë spektakolare dhe të mos e prishim ndeshjen. Janë marrë të gjitha masat e duhura për këtë sfidë”.

Interesimi ka qenë i jashtëzakonshëm edhe nga personalitete të shumta politike. Tashmë është e sigurt që në tribunën VIP do të jetë kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, njëkohësisht edhe president i klubit Tirana, por edhe trajneri i Kombëtares, Xhani de Biazi.
Shtuar më 14/04/2012, ora 14:01
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori