Supersfida Vllaznia-Parizani, rekord tifozësh në "Loro Boriçi"
Vllaznia ka mbyllur dje përgatitjet për Partizanin dhe trajneri Jonuz i ka të gatshëm që të gjithë lojtarët për këtë sfidë. Tekniku maqedonas është munduar të zbulojë sa më pak për publikun sa i takon taktikës që do të ndjekë sot ndaj të kuqve.

Menjëherë pas stërvitjes skuadra është grumbulluar në një prej resorteve të qytetit. Ndeshja e sotme me Partizanin pritet të vendosë rekord shikuesish në “Loro Boriçi”. Dje ka nisur shitja e biletave për sfidën Vllaznia-Partizani dhe interesimi nga tifozëria shkodrane ka qenë i lartë.

Që në hapjen e sporteleve ka pasur radhë për pajisjen me biletë dhe mësohet se dje janë shitur mbi 3 mijë bileta për të ndjekur nga shkallët e stadiumit këtë takim. Një nga pyetjet që po bëhet këto ditë në Shkodër është nëse Vllaznia do të arrijë të kalojë me sukses jo vetëm takimin me Partizanin, por edhe tabunë që ka me tifozërinë e vet.

Sa herë që stadiumi “Loro Boriçi” mbushet nga tifozëria shkodrane, aq herë Vllaznia nuk arrin të fitojë dhe për më tepër të gëzojë veten dhe tifozërinë e saj. Në këtë aspekt, tifozët kuqeblu duket se janë supersticiozë, por kërkojnë që kësaj here Vllaznia e tyre të arrijë ta gëzojë atë numër të konsiderueshëm sportdashësish që pritet të mbështesë skuadrën e tyre.
Shtuar më 19/10/2019, ora 12:15
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori