Surprizë e bukur në Serie A, skuadra modeste në vend të dytë

Pëlqej
Sassuolo vazhdon momentin pozitiv në këtë fillim sezoni. Në Reggio Emilia skuadra e De Zerbit mposhti 3-1 me përmbysje Empolin, duke u rikthyer menjëherë te suksesi dhe duke hedhur pas krahëve atë humbje minimale ndaj kampionëve në fuqi të Juventusit.

Me Frederik Veselin në fushë si mbrojtës i majtë, skuadra toskane e nisi shumë mirë takimin duke zhbllokuar rezultatin me Caputon që në sekondat e para.

Megjithatë nuk vonoi shumë dhe erdhi reagimi i Sassuolos. Në të 13-ën Di Francesco me një asist perfekt i dha mundësinë liderit të ekipit, Kevin Prince Boateng, të barazonte shifrat në 1-1.

Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë në “Mapei Stadium”, ndërkohë që golin e epërsisë Sassuolo e gjeti me qendërmbrojtësin Ferrari në minutën e 57-të. Sërish asisti ishte i Di Francescos këtë herë nga këndi.

Në të 71-ën Empoli mbeti me një lojtar më pak pas daljes me karton të kuq të Zajc.

5 minuta para fundit të kohës së rregullt Federico Di Francesco kompletoi mbrëmjen e tij perfekte me 2 asist dhe 1 gol shumë të bukur me thembër, i cili vulosi edhe fitoren e skuadrës së De Zerbit.

Me këtë sukses Sassuolo u ngjit përkohësisht në vendin e dytë të Serie A në kuotën e 10 pikëve.
Shtuar më 21/09/2018, ora 23:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori