Sushiq: Shqiperia kandidate per dy pozitat e para
Albeu.com
Seleksionuesi i Bosnjë- Hercegovinës, Safet Sushiq nuk njeh asnjë futbollist të Kombëtares së Shqipërisë. Por, kjo nuk i pengon atij që të vlerësojë kombëtaren kuqezi si rival shumë të fortë.
Bosnjë- Hercegovina do të përballet me Shqipërinë në eliminatoret për kampionatin evropian të vitit 2012 që mbahet në Poloni e Ukrainë. Sushiq, të premten, në një intervistë për Kohën Ditore, ka thënë se Shqipëria është kandidate për njërën nga dy pozitat e para në grup.
"E di që Shqipëria ka ekip të mirë dhe është kundërshtar i fortë. Krijon vështirësi për rivalet sidomos kur luan në shtëpi. Pres të zhvillojmë ndeshje të mira me shqiptarët si në shtëpi ashtu edhe si mysafir", ka thënë Sushiq nëpërmjet telefonit. "Unë nuk njoh me emër asnjë futbollist të kombëtares së Shqipërisë. Por, kjo nuk do të thotë se nuk do t'i mësoj në të ardhmen. Ka kohë deri në ndeshje dhe unë do t'i analizoj mirë të gjithë. Më kanë thënë se për Shqipërinë luajnë futbollistë cilësorë që bëjnë karrierë në ligat më të forta evropiane", ka shtuar Sushiq.
Ai postin e seleksionuesit të Bosnjës e mori në dhjetor të vitit të kaluar. Në këtë post zëvendësoi Qira Blazheviqin.
Shqipëria dhe Bosnja bëjnë pjesë në grupin D. Bosnja ishte pjesë e vazos së tretë, ndërsa Shqipëria e vazos së pestë. Në këtë grup do të luajnë edhe Franca, Rumania, Bjellorusia dhe Luksemburgu.
"Luksemburgu është përfaqësuesja e vetme pa gjasa për t'u renditur në dy pozitat e para. Ekipet e tjera duke përfshirë këtu edhe Shqipërinë kanë gjasa të zënë njërën nga dy pozitat e para. Grupi është shumë i fortë dhe do të ketë ndeshje e futboll shumë cilësor. Edhe synimet e përfaqësueses sonë janë dy pozitat e para", ka thënë Sushiq.
Shqipëria dhe Bosnja deri tani janë takuar vetëm dy herë dhe madje në miqësore. Më 30 maj të vitit 1995 Shqipëria fitoi 2:0, ndërsa më 24 prill të vitit 1996 këto dy përfaqësuese luajtën pa gola.
"Ishin kohë të tjera atëherë. Gjërat kanë ndryshuar shumë. Tani realisht jemi më të fortë se Shqipëria. Kundër Shqipërisë synojmë të marrim gjashtë pikë. Më së miri do të ishte që Shqipëria të ndalë ndonjërin nga të fortit e grupit, Francën apo Rumaninë. Me këtë rast do të ishim të kënaqur me katër pikë nga ndeshjet me Shqipërinë, pra me fitore e barazim", thekson Sushiq.
Eliminatoret për "Euro 2012" nisin në shtator të këtij viti dhe zgjasin deri në tetor të vitit 2011.
Safet Sushiq (54) vlerësohet ndër futbollistët më të mirë në histori të Bosnjës. Nga viti 1973 deri në vitin 1982 ka luajtur për Sarajevën, ndërsa nga viti 1982 deri në vitin 1991 mbrojti ngjyrat e ekipit të njohur francez, Paris Saint Germain. Karrierën e trajnerit e ka nisur në klubin francez Cannes në vitin 1994. Më pas ka drejtuar skuadrat turke Istanbulspor, Konyasport, Ankaragucu, Rizesport e Ankaraspor. Një kohë ishte trajner i ekipit Al Hilal nga Arabia Saudite. Për Përfaqësuesen e Jugosllavisë ka luajtur 54 herë dhe ka shënuar 21 gola.
Shtuar më 13/02/2010, ora 19:19
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori