Aksident i rëndë në Lushnje, humb jetën këmbësori
Takaj: Besojmë te drejtësia, nuk e lëmë Korçën pa futboll
Ditën e djeshme, nëpërmjet një konference të jashtëzakonshme për shtyp, presidenti i Skënderbeut Ardian Takaj foli për pezullimin e korçarëve nga UEFA, dënim i konfirmuar edhe në KAS-in e Lozanës.

Ai drejtoi gishtin nga ish Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Eduart Dervishi,i cili prej vitesh punon në Federatën Spanjolle të Futbollit, si dhe nga Emiliono Garcia, edhe ky një ish zyrtar i federatës spanjolle, aktualisht Shef i Disiplinës në UEFA.

Por i pyetur për të ardhmen e klubit, Takaj pranoi se ankimimi është dorëzuar në Gjykatën Federale të Zvicrës dhe se deri sa kjo e fundit të thotë fjalën e vet, klubi i Skënderbeut do vazhdojë te funksionojë normalisht.

“Studioja jonë ligjore që në fillim i ka pasur shpresat në Gjykatën Federale të Zvicrës dhe kemi depozituar ankimimin tonë atje, që në muajin prill, para se të dilte vendimi i KAS-it. Deri në muajin shtator, ne dhe UEFA duhet të paraqesim materialet tona, ndërsa vetë gjykata ka afat deri në qershorin e ardhshëm për t’u shprehur. Deri sa kjo gjykatë të thotë fjalën e saj, klubi i Skënderbeut do të funksionojë normalisht, pasi në të kundërt rrëzohet edhe çështja”, deklaroi Takaj.

Presidenti i skuadrës korçare komentoi edhe gjobën e majme prej 1 milionë eurosh, ndërsa garantoi se Skënderbeu e ka buxhetin për të paguar futbollistët me të cilët është nën kontratë aktualisht.

“Futbollistët që janë nën kontratë, të rrinë të qetë, pasi e kemi buxhetin për t’i paguar. Këto ditë do të nisim me riorganizimin, ndërsa sa i përket gjobës, do të shohim se si janë rregullat e pagesës. Është një shifër e lartë, që edhe nëse e sajojmë, mund të paguhet kot, sepse krahas saj, janë edhe 10 vite pezullim nga Europa”, tha numri 1 i korçarëve.

Në fund Ardian Takaj garantoi sportdashësit korçarë se futbolli në qytet nuk do të vdesë dhe se Korça do të ketë skuadrën e saj, teksa konfirmoi sërish besimin se Skënderbeu do të arrijë të gjejë drejtësi.

“Sezoni ynë do të fillojë normalisht, ndonëse presim edhe një përgjigje të fundit. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me bashkinë, për të gjetur modelin më të mirë, pasi është e rëndësishme që Korça të ketë futbollin e vet, të ketë skuadrën e vet, po aq të suksesshme sa vitet e fundit. Kemi mbështetjen maksimale jo vetëm të bashkisë, por edhe të njerëzve më të fuqishëm të qytetit, për të bashkëpunuar dhe për të çuar përpara projektin tonë”, deklaroi Takaj.
Shtuar më 21/07/2019, ora 16:24
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori