Takaj: Do të zhvillohet një betejë e bukur, vetëm në askpektin sportiv
Skënderbeu do të presë ditën e enjte në orën 21:05, Partizanin e Beogradit në sfidën që do të zhvillohet në “Elbasan Arena”.

Interesimi i lartë i tifozëve për shkak të marrëdhënieve të tensionuara Serbi-Shqipëri, ka bërë që presidenti i Korçarëve t’i druhet trazirave të mundshme nga tifozët të cilët pritet të jenë nga të gjitha trevat shqiptare.

Nëpërmjet një deklarate për “Supersport” Takaj ka kërkuar që tifozët të jenë të pranishëm për të mbështetur Skënderbeun, pasi skuadra ka shumë nevojë për ta dhe ka kërkuar që kjo ndeshje të mbetet në aspektin sportiv, duke anashkaluar nacionalizmin.

“Është vetëm një ndeshje futbolli dhe si e tillë, natyrisht që nuk ka vend për nacionalizëm. Presim shumë njerëz në stadium, që do të mbështesin ekipin dhe jam i bindur që do të zhvillohet një betejë e bukur, vetëm në aspektin sportiv. Do të kërkojmë të marrim fitoren e parë në këtë edicion të grupeve në Europa League, pasi i shkuam shumë pranë në ndeshjen ndaj Young Boys. Mendoj se i kemi të gjitha mundësitë për të bërë një ndeshje të bukur dhe për të dalë me 3 pikë nga fusha e lojës”, u shpreh presidenti i Skënderbeut. /albeu.com/
Shtuar më 16/10/2017, ora 12:10
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori