Takaj: Ishte një mbledhje që shërben për të shkundur ekipin
Një ditë pas mbledhjes me ekipin si pasojë e rezultateve jo të mira në ndeshjet e fundit, presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, komenton situatën e krijuar në ekip dhe zbardh detaje nga mbledhja me lojtarët.

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, numri një i klubit bardhekuq bën me dije se u ka kërkuar lojtarëve që të jenë të përqendruar tek objektivi kryesor i ekipit që është titulli, pasi cilësia nuk mungon. Ndërsa, nga ana tjetër jep garanci se përpos çështjes në KAS, asgjë nuk prek futbollistët dhe të ardhmen e klubit në rrugën që ka nisur përmes investimeve të fundit edhe në akademi.

"Ne si klub nuk mund “të varim” një lojtar për gabimet që bën. Por, nëse shkon puna deri këtu, unë e ftoj Muçën që të përballet në gjykatë me Teqjan. Është shumë e thjeshtë, janë akuza të rënda që duhen çuar në vendin e duhur, në organet e duhura. Ndërsa, për sa i përket tendencës që ka për Skënderbeun, nuk e di se çfarë fshihet, por shumë shpejt do u dalë “tymi” të gjithave", tha Takaj.

• President, një ditë më parë keni bërë mbledhje urgjente në Korçë. Çfarë ishte kjo mbledhje emergjente?

"Po, pak a shumë ju e keni marrë vesh atë që ne kemi diskutuar atje brenda. Ishte një mbledhje që shërben për të shkundur ekipin që kishte disa javë që nuk po u përgjigjej kërkesave që ka klubi. Është shumë e thjeshtë. Kemi kërkuar që të rikthehemi sërish, atje ku e nisëm këtë sezon, pasi cilësia nuk mungon.

• Është mbledhja e dytë që bëni me ekipin në urgjencë në tetë vitet që jeni te Skënderbeu. Kaq keq ishte situata?

"Jo, nuk është puna atje. Ishte një mbledhje për vetë faktin se ky ekip nuk mund të marrë kaq pak pikë në pesë ndeshjet e fundit. Kjo ishte ajo që më shqetësonte. Cilësia është atje brenda, por ndoshta mungonte impenjimi maksimal nga lojtarët. Është pikërisht kjo që unë kam kërkuar nga ata. Që të impenjohen dhe të bëjnë më të mirën e tyre në çdo ndeshje. Nuk ka vend për të mos qenë të përqendruar, pasi situata të tilla të prishin shumë punë në vijimësi", u shpreh Takaj.
Shtuar më 12/12/2018, ora 18:15
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori