Takaj zbarkon në Korçë, mbledhje urgjente me skuadrën
Ardjan Takaj ka udhëtuar me urgjencë dje drejt Korçës. Presidenti ka thërritur lojtarët në ambientet e stadiumit ku ka zhvilluar edhe një mbledhje. Motivi: kërkon reagim të menjëhershëm, në të kundërt paralajmëron sanksione.

Numri një i klubit ka qenë i drejtpërdrejtë me të tijtë duke kërkuar me çdo kusht rikthimin te fitoret në dy ndeshjet e radhës. Veç kësaj, ai u ka bërë thirrje lojtarëve që të mos mendojnë për situatën në CAS dhe shtyrjes së vendimit për dënimin 10-vjeçar.

• Fjalimi i presidentit

“Jo pa qëllim erdha sot (dje) të bëj këtë mbledhje dhe jo një javë më parë, pasi e di që situata nuk është e lehtë dhe këto rezultate e rëndojnë akoma. Por, nuk e kuptoj pse jeni duke zhvilluar atë lojë që nuk është e denjë për ju. Çfarë ju shqetëson? Pse shpërqendroheni me gjëra që juve nuk ju takon të merreni? Do më thoni tani që situata nuk është e njëjta me sezonin e kaluar?

Unë këtë gjë e di më mirë se ju, por nuk keni përse shqetësoheni. Ky ekip ka një projekt të qartë dhe do të vazhdojë pavarësisht gjithçkaje. Jemi në një vit ndryshe dhe për këtë jemi të vetëdijshëm, por jo të luani në këtë mënyrë. Nuk i kuptoj këto rezultate dhe për më tepër atë nivel loje që nuk ju shkon aspak për shtat. Dua të bëni kthesën dhe ky është një ultimatum për ju. Cilësitë i keni, prandaj nuk ka asnjë alibi. Dua rezultate, u kuptuam?! Madje, një gjë të tillë e dua ta shoh që në ndeshjen e radhës. Keni dy ndeshje ultimatum, dua patjetër fitore dhe lojë të mirë.

Të tregoni se ky ishte thjesht një moment kalimtar dhe gjithçka është kthyer në normalitet. Nuk jemi vonë për kthesën pasi kampionati është i gjatë dhe ka plot kohë për rikuperim. Por nuk dua të shoh më paraqitje të tilla, kështu nuk ecet përpara. Dua që të keni besim te njëri-tjetri dhe jo të ecni në fushë secili për hesapin e vet. Jeni në kohë për të reflektuar dhe për të ndryshuar. Sigurinë e keni, edhe garancinë e financave dhe të vijimësisë po ashtu. Cilësinë po e po, atëherë mbetet vetëm rezultati”, mësohet të ketë thënë Ardjan Takaj në mbledhjen e zhvilluar me ekipin.

• Mbledhja e dytë

Më pas lojtarët dhe trajneri kanë folur dhe kanë qenë në një linjë, duke evidentuar se thjesht nuk po kalojnë një moment të mirë dhe kanë premtuar rikthimin te fitorja që ndaj Luftëtarit. Kjo është mbledhja e dytë urgjente që presidenti bën me ekipin e tij në këto 8 vite që drejton Skënderbeun.

Më herët një mbledhje e tillë ishte bërë në sezonin 2014-2015, kur Josa ishte nën drejtimin e Skënderbeut dhe korçarët kishin përpara ndeshjen me Kukësin. Por tani situata është më ndryshe, me vendimin e KAS që po vonon, ekipi nuk është më i qetë. Dhe për të rikthyer normalitetin, presidenti ka menduar që të ulet me futbollistët dhe të flasë.
Shtuar më 11/12/2018, ora 19:30
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori