Tare besimplotë: Kjo Lazio është më e fortë se e sezonit të kaluar
Prej shumë vitesh është drejtor sportiv i Lazios dhe e ka shndërruar këtë klub në konkurrues ndaj gjigantëve si Juventusi apo Inter.

Igli Tare vazhdon të punojë fort për të siguruar vazhdimësinë dhe për të synuar të rrisë përmasat e Lazios.

Merkaton e shkuar vlonjati kaloi momente të vështira për shkak të disa tratativave, të cilat nuk arritën të mbylleshin dhe mori kritika të shumta nga tifozët për merkaton.

Në fund arriti të sjellë lojtarë si Muriqi apo Pereira në skuadër.

Në një intervistë për mediet italiane Tare shprehet se do kishte dashur ta formonte më parë skuadrën e sezonit të ri, por kushtet nuk iu ofruan të tilla.

Ish-sulmuesi i Shqipërisë është besimplotë se ekipi i këtij sezoni i Lazios është më i mirë se ai i edicionit të shkuar, që përfundoi i katërti dhe ishte në garë për titullin deri pak javë para mbylljes së Serie A.

"Shumë gjëra kanë ndodhur gjatë muajve të fundit. Ndoshta pritshmëritë ishin shumë të larta, kishim shumë dëmtime, por gjithashtu rregullat e likuiditetit dëmtuan aftësinë tonë për të vepruar në merkato. Do kishim dashur ta kompletonim skuadrën me të paktën tre javë para se të fillonte sezoni, në vend që ta përfundonim atë në momentet e fundit. Në të njëjtën kohë, mendoj se mund të them se kjo skuadër është më e fortë se sezonin e kaluar, kështu që cilësia e tyre do të dalë në planin afatgjatë", u shpreh Tare.
Shtuar më 21/10/2020, ora 14:22
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori