Tare në sulm, do Gashin te Lazio
Lazio shënjestron Shkëlzen Gashin. Kolonia e shqiptarëve në ekipin italian mund të shtohet me një tjetër lojtar pasi Drejtori Sportiv, Igli Tare ka nisur punën për ta shkëputur nga Baseli kryegolashënuesin e kampionatit zviceran.

Kontaktet mes palëve nisën që gjatë merkatos së verës pasi Gashi konsiderohet një lojtar i rëndësishëm për projektin e Stefano Piolit për shkak se ai mund të mbulojë disa pozicione në repartin e avancuar. Në fund të qershorit, Baseli arriti ta shkëpuste sulmuesin nga Grasshoppers duke nënshkruar një kontratë deri në vitin 2018 por 20 golat e shënuar deri në këtë fazë të sezonit kanë vënë në lëvizje bardhkaltërit.

Sipas faqes "Lalaziosiamonoi.it", Tare është takuar me të atin që është njëkohësisht edhe agjenti i lojtarit dhe një fakt që i shtyn bisedimet në rrugë të mbarë është se Gashi ka pasaportë zviceriane dhe mund të luajë si komunitar. Gjithsesi, një nyjë e vështirë për t'u zgjidhur mbetet vlera e kartonit të lojtarit pasi Baseli nuk kërkon ta lejë të lirë për më pak se 8 milionë euro.

Gjatë këtij sezoni, Shkëlzen Gashi ka shënuar 18 gola në 22 ndeshje të luajtura në Superligën e Zvicrës, 1 në Kupën e Zvicrës dhe 1 në Champions League kundër Ludogorets. /albeu.com/
Shtuar më 01/04/2015, ora 11:20
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori