Te deshtuarit e Boterorit 2010
Albeu.com
Në Botërorin 2010 të futbollit shumë lojtarë që është pritur të shkëlqejnë kanë dështuar plotësisht. Të shumta ishin rastet që lojtarët nuk i përmbushën pritjet nga ta.Gazeta zvicerane "Blick" ka hartuar një njëmbëdhjetëshe që ka zhgënjyer më së tepërmi në botërorin "Afrika e Jugut 2010".

Robert Green (Angli)

Portieri anglez Robert Green ka zhvilluar vetëm një ndeshje në Botërorin 2010. Ai u aktivizua në ndeshjen e parë të "albionëve" në Afrikë të Jugut kundër SHBA-së. Green nuk ishte në nivel të detyrës, pasi bëri një gabim katastrofal, duke pranuar një gol nga një goditje e lehtë e Clint Dempseyt. Ai i kushtoi Anglisë me humbje të dy pikëve, pasi "albionët" barazuan në atë ndeshje 1:1.

John Terry (Angli)

Qendërmbrojtësi anglez John Terry, i ka zhvilluar katër ndeshje në Botërorin 2010. Por, në Afrikë të Jugut ai është dukur i ngurtë, i ngadalshëm dhe pa kondicion. Afera seksuale në të cilën ishte përfshirë para fillimit të Botërorit 2010 duket se i ka dhënë një goditje të rëndë yllit të Chelseat.

Fabio Cannavaro (Itali)

Qendërmbrojtësi dhe kapiteni i Italisë, Fabio Cannavaro, është paraqitur në tri ndeshjet e "azzurëve" në Botërorin 2010l. Por, 36-vjeçari ishte shumë larg nga forma që pati në Botërorin 2006. Ai ishte ndër fajtorët kryesorë që Italia u eliminua qysh në fazën grupore të Botërorit.

Patrice Evra (Francë)

Mbrojtësi i majtë francez dhe kapiteni i Francës, Patrice Evra, u paraqit vetëm në dy ndeshje për "trekolorët". Kapiteni ia mbajti krahun sulmuesit Nicolas Anelka që ishte përjashtuar nga përfaqësuesja. Evra ishte një nga organizatorët e bojkotit të përfaqësueses. Franca u eliminua qysh në fazën grupore të Botërorit 2010 pa asnjë fitore. Në përgjithësi mori vetëm një pikë dhe ishte një Botëror skandaloz për të.

Gennaro Gattuso (Itali)

Mesfushori italian Gennaro Gattuso ka luajtur vetëm një pjesëlojë në Botërorin 2010 të futbollit. Gattuso u aktivizua në pjesën e parë të ndeshjes mes Italisë dhe Sllovakisë. Për mesfushori defensiv ka kaluar koha kur shquhej si makinë e vërtetë në fushë.

Felipe Melo (Brazil)

Mesfushori brazilian Felipe Melo në Botërorin 2010 i luajti katër ndeshje dhe në përgjithësi 291 minuta. Por, ai ishte ndër fajtorët kryesorë për eliminimin e Brazilit në çerekfinale të Botërorit nga Holanda. Melo pasi asistoi në golin e epërsisë së "kareokëve", bëri gabim kur u shënua goli i barazimit të Holandës dhe më pas u përjashtua edhe me karton të kuq. Brazili pësoi me rezultatin 2:1.

Ricardo Kaka (Brazil)

Ylli i Real Madridit, Ricardo Kaka, pas një stinori zhgënjyes në Real Madrid, përjetoi zhgënjim edhe më të madh në Botëror. Kaka luajti katër ndeshje dhe 337 minuta në përgjithësi. Por, ai ishte larg formës së tij më të mirë. Madje në ndeshjen e fazës grupore me Bregun e Fildishtë edhe u përjashtua me karton të kuq.

Cristiano Ronaldo (Portugali)

Portugezi Cristiano Ronaldo vlerësohet si njëri prej futbollistëve më të mirë në botë. Pikërisht ai pritej të shkëlqente në Botërorin 2010 të futbollit. Por, shkëlqimi nuk u pa. Ronaldo luajti në vetëm katër ndeshje dhe shënoi një gol. Manovrimet e tij ishin të padobishme, sikur edhe vuvuzelat.

Fernando Torres (Spanjë)

Ylli i Evropianit 2008 spanjolli Fernando Torres, në Botëror mbeti pa shënuar asnjë gol. Ai vërehej se ishte totalisht jashtë formës, kjo pasi vetëm sa ishte kthyer nga lëndimi. Përkundër dështimit të tij, Spanja arriti të fitonte titullin e kampionit të botës.

Wayne Rooney (Angli)

Sulmuesi anglez Wayne Rooney gjatë gjithë stinorit kishte qenë fenomenal. Por, në çastin më të nevojshëm për Anglinë ai dështoi. Rooney në Botërorin 2010 luajti vetëm katër ndeshje dhe në përgjithësi 342 minuta. Nuk shënoi asnjë gol dhe ishte totalisht jashtë formës. Anglia u eliminua në 1/8 e finales të Botërorit 2010. "Ende është një mister, se si nuk ka bërë asgjë Rooney", kishte thënë analisti dhe ish-futbollisti gjerman, Guenter Netzer.

Nicolas Anelka (Francë)

Sulmuesi francez Nicolas Anelka, ishte ndër më zhgënjyesit në Botërorin 2010. Ai në përgjithësi luajti vetëm 118 minuta dhe u përjashtua nga Përfaqësuesja e Francës, pasi kishte fyer trajnerin Raymond Domenech. Pikërisht faji i tij edhe nisi bojkoti nga lojtarët e tjerë francezë dhe "trekolorët" dështuan tërësisht.
Shtuar më 14/07/2010, ora 14:04
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori