Telashe për Realin, dëmtohet Khedira
Pëlqej
Problemet për Real Madrid në këtë fillim sezoni nuk kanë fund. Pas rezultateve të dobëta dhe lëvizjeve befasuese në merkato "Los Blancos" humbasin mesfushorin gjerman Sami Khedira. Trajneri Carlo Ancelotti nuk do të ketë në dispozicion kampionin e botës për arsye dëmtimi.

Shkaku është një dëmtim muskulor që 27-vjeçari nga Shtuttgarti pësoi në Anoeta në këmbën e majtë.

Madrilenët jo vetëm që humbën ndeshjen kundër Real Sociedad me rezultatin 4-2, por tashmë nuk do të kenë shërbimet e mesfushorit për një periudhë prej 4-6 javë, sidoqoftë versionet e rikuperimit mes klubit dhe Federatës Gjermane të Futbollit janë kontradiktore dhe koha e plotë e riaftësimit mund të zgjasë deri në 8 javë.

Në fakt futbollisti i përfaqësueses gjermane në sfidën ndaj baskëve të Sociedadit u fut në fushën e lojës në 74 si zëvendësues i kroatit Luka Modriç, megjithatë fati i atij takimi nuk ndryshoi aspak dhe kryeqytetasit pësuan humbjen e parë në "San Sebastian" pas plot një dekade.

Federata Gjermane e Futbollit në një komunikatë për shtyp e vlerësoi dëmtimin e 27-vjeçarit si një dëmtim muskulor, për të cilin nevojitet një periudhë riaftësimi prej 2 muajsh, megjithatë ky është një tjetër lajm i keq për trajnerin emilian që humbi në vetëm pak ditë dy lojtarë të tjerë të rëndësishëm si Angel Di Maria e Xabi Alonso.

Gjithsesi polemikat në lidhje me një dëmtim të tillë nuk mungojnë dhe në një tjetër komunikatë për shtyp klubi i Realit shpjegoi se Khedira u dëmtua në një seancë stërvitore me përfaqësuesen teutone, në një kohë që sipas DFB Khedira ishte i dëmtuar që në Madrid, pasi rezonanca magnetike nxorri në pah dëmtimin dhe futbollisti në këtë mënyrë nuk zbriti fare në fushë për t’u stërvitur si gjithë të tjerët. /albeu.com/

Shtuar më 03/09/2014, ora 09:07
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori