Tension i lartë mes Lampard dhe Klopp, shkak bëhet merkato e bujshme e Chelsea
Tension i lartë mes trajnerëve Frank Lampard dhe Jurgen Klopp në Premier League.

Dy trajnerët shkëmbejnë batuta në distancë në lidhje me paratë e shpenzuara në kohë të ndryshme nga dy klubet.

Nga sa kuptohet trajneri i Liverpool-it nuk ka qenë dakord me politikën e Chelsea-t dhe 53-vjecari gjerman ka kundërshtuar merkaton faraonike të drejtuesve të klubit londinez, ndërsa në krahun tjetër ka reaguar menjëherë pa humbur kohë edhe trajneri I bluve, që e ka konsideruar si pa kuptim një diskutim të tillë.

Për hir të së vërtetës prej disa kohësh marrëdhëniet ndërmjet tyre janë përkeqësuar, sidomos pas disfatës së rëndë 5-3 që Chelsea pësoi në Anfield, në fundin e edicionit të kaluar të kampionatit anglez.

Shkëndijat e para filluan që javën e shkuar, kur trajneri shvab drejtoi gishtin te Chelsea dhe vera e cmendur në merkato e bluve të Londrës.

Deri tani krerët e klubit kanë shpenzuar dicka më shumë se 200 milionë stërlina për të përforcuar skuadrën me plot me 6 futbollistë.

Bëhet fjalë për emra të tillë si Hakim Ziyech, Timo Werner, Ben Chilwell, Kai Havertz, Thiago Silva si dhe Malang Sarr, madje drejtuesit e bluve po këmbëngulin fort gjithashtu edhe për mesfushorin e West Ham United Declan Rice.

53-vjecari nga Shtutgarti deklaroi se klubi nga Merseyside nuk mund të sillet si klubet e tjerë, që gëzojnë mbështetje të fuqishme dhe kanë nga prapa oligarkë, që I përkrahin gjithmonë.

Trajneri i kampionëve në fuqi e mbushi gojën plot për të thënë se Liverpuli nuk mund të tentojë të bëjë atë që po përpiqet për të arritur Chelsea. E pra nëse Jurgen Klopp nënkupton shifrat e cmendura që po shpenzon Chelsea, trajneri I bluve në krahun tjetër pa u munduar shumë gjen kohën për të replikuar.

Pikërisht ditën e diel Frankie është përgjigjur duke thumbuar në distancë, për t’i kthyer reston kolegut të tij në Premiership. 42-vjecari londinez ka reaguar, duke theksuar se krerët e Chelsea-t këto kohë janë duke bërë pikërisht atë që pak kohë më parë bënë edhe vetë drejtuesit e Liverpool-it, pra duke hapur portofolin dhe blerë gjithcka është në shitje dhe mund të blihet.

Më datë 22 korrik Frank Lampard u pa të fliste shpesh në distancë me trajnerin Jurgen Klopp, teksa ndodheshin në kufijtë e fushës së Stadiumit Anfiled.

Të dy patën një përplasje shumë të fortë, për thjesht një ndërhyrje të gabuar, madje Frankie nuk u përmbajt por e ofendoi rëndë kolegun e tij, me shumë më tepër emër, përvojë e natyrisht edhe me shumë më tepër sukses. Humbja 5-3 në Anfield I ndërlikoi ndjeshëm gjërat për blutë, që rrezikuan ndjeshëm dhe e siguruan kualifikimin për në Zonën Champions vetëm në fjavën përmbyllëse, në Stamford Bridge pas fitores 2-0 ndaj “ujqërve” të Wolverhampton-it.

Lampard i kujtoi Klopp-it se nuk ka shumë kuptim për të bërë llogaritë e tjetrit.

Trajneri i Chelsea-t shpjegoi se të gjithë e dinë se cfarë shumash ka shpenzuar klubi nga Merseyside për të fuqizuar ekipin. Ish-kapiteni legjendar I bluve kujtoi paratë që kanë shpenzuar “të kuqtë” për emra të tillë si Virgil van Dijk, Alisson, Fabinho, Naby Keita, Sadio Mane apo dhe Mohamed Salah, që konsiderohen si futbollistë të shkëlqyer dhe me një cmim tepër të kripur.

E në fakt van Dijk u mor nga Southampton-I për t’u shndërruar në mbrojtësin më të shtrenjtë në rruzull, përpara se këtë status ta fitonte mbrojtësi I Manchester United Harry Maguire, ndërsa Alisson u afrua vetëm pak kohë më vonë nga Roma, duke u bërë portieri më i shtrenjtë në planet, përpara se drejtuesit e Chelsea-t të merrnin portierin spanjoll Kepa Arrizabalaga. Frankie kujtoi se Liverpool-i e bëri dicka të tillë në një hapësirë të caktuar kohe, ndërsa blutë janë duke I harxhuar këto para pas pezullimit në merkato.

Lampard theksoi se realiteti është i qartë dhe sipas tij në kohët e sotme pjesa më e madhe e klubeve që ia dalin për të fituar kampionatin e arrijnë dicka të tillë pikërisht falë parave të shpenzuara mirë dhe një cmimi vërtet shumë të lartë. 42-vjecari në vazhdim tha se që të gjithë e dinë se cfarë lloj niveli ka arritur Liverpuli, me lojtarë vërtet fantastikë dhe një trajner të shkëlqyer, por sipas numrit 1 të bluve gjëja më inteligjente që kanë bërë drejtuesit e të kuqve është besimi I patundur dhe koha e pakufizuar ndër vite që i dhanë trajnerit të famshëm gjerman, për të vënë në punë skemat dhe mënyrën e tij të lojës.

Frank Lampard kujtoi gjithashtu historinë tepër të lavdishme të Liverpulit, por trajneri i Chelsea-t thumboi sërish duke shtuar se të gjithë e dinë që një histori e tillë u bë e mundur pikërisht falë parave të shumta që drejtuesit e klubit nga Merseyside shpenzuan për të blerë futbollistë të ndryshëm.

Një gjë është e qartë që rivaliteti ndërmjet dy klubeve sa vjen e po ashpërsohet gjithmonë e më shumë. Dikur ishin përballjet e shpeshta në Champions League, ndërsa më vonë në kohë pasoi rrëshqitja e famshme e kapitenit Steven Gerrard dhe humbja e tmerrshme e një titulli që I mungonte klubit që nga viti I largët 1990.

Tani gjërat janë ndezuar akoma më shumë, me polemikat në distancë ndërmjet dy trajnerëve, kështuqë pritshmëritë shtohen dhe tani të gjithë mezi c’presin përballjen më të parë ndërmjet këtyre dy klubeve. Dicka për të cilën në fakt nuk është se do të presim shumë, pasi shorti ka mundësuar që Chelsea dhe Liverpool-I të përplasen bashkë që në javën e dytë të kampionatit anglez, pra të dielën e ardhshme, në orën 17:30 në Stadiumin Stamford Bridge./SS/
Shtuar më 14/09/2020, ora 20:01
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori