Tension te Milani, lojtarët përplasen me Inzaghin
Loja nuk jep sinjale inkurajuese, rezultatet nuk vijnë dhe për pasojë rritet tensioni brenda grupit. Viti 2015 nuk mund të niste më keq për Milanin, i cili tashmë e sheh veten më larg eurozonës. Formacioni i Filippo Inzaghit nuk po arrin dot të ketë vijueshmëri dhe sipas "La Gazzetta dello Sport", kanë nisur dhe pakënaqësitë e para brenda grupit.

Ulërima dhe debate me tone të ashpra mes Inzaghit dhe lojtarëve janë dëgjuar pas përfundimit të pjesës së parë të sfidës kundër Torinos. Burime brenda skuadrës zbulojnë se ka diçka që nuk shkon dhe tashmë harmonia e grupit është e rrezikuar.

Mbrëmja e Torinos, që nisi mirë për formacionin e Milanit, i cili gjeti shumë shpejt avantazhin me Jeremy Menez, gradualisht ndryshoi fytyrë. Kartoni i kuq i Mattia De Sciglios e bën Milanin ekipin më të ndëshkuar në Itali dhe kjo tregon se nuk ka qetësi në lojën e "Djallit".

Një dëshmi më shumë që tregon se harmonia po rrezikohet është gjesti i Sulley Muntarit në momentin e zëvendësimit.
Ganezi shpërtheu me fjalë fyese dhe gjeste absurde, duke u treguar nervoz karshi trajnerit të tij. Me pak fjalë, në shtëpinë kuqezi nervat nuk mbajnë më.

"Super-Pipo" nxjerr gjoksin përpara dhe kërkon që tifozët të tregohen të durueshëm, por pakënaqësia e tyre nis të shfaqet gjithnjë e më shumë. Populli kuqezi shfryn në rrjetet sociale dhe vërshëllimat në përfundim të sfidës kundër Sassuolos janë një tregues më shumë se "muaji i mjaltit" mes Inzaghit dhe tifozëve, që e kanë adhuruar për një dekadë, po rrezikon të përfundojë keq. /albeu.com/
Shtuar më 13/01/2015, ora 11:39
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori