Terim: Është Ramazan, kohë bamirësie
Albeu.com
Turqia duket më e vendosur se kurrë për t'u bërë pjesëtare e play-off-it të fazës eliminatore të Botërorit 2006 dhe për të shkuar si finaliste në Botërorin e Gjermanisë. Trajneri turk thotë për CNN turk se nësë do të duhet kombëtares së tij, do t'i lërë edhe këmbët në fushë.Një bindje të tillë ta ushqen vetë trajneri i turqve, Fatih Terim, i cili tani po mendon çdo minutë për sfidën e radhës me Shqipërinë, që do të luhet më 12 tetor në Tiranë. "E mirë do të ishte ta kishim zgjidhur ndryshe problemin e kualifikimit, por ja që nuk ndodhi."
Kështu thotë Fatih Terim, kur e pyet për fatin e kombëtares që drejton, tri ditë para ndeshjes vendimtare me Shqipërinë. "Për të ndenjur në play-off, duhet të bëjmë çdo gjë. Përballë Shqipërisë do të përdorim të gjitha armët që kemi. Me 12 shtator, ditën e mërkurë, ne do të luajmë përballë shqiptarëve si në një lojë shahu. Megjithëse duket një ndeshje e lehtë në pamje të parë, s'duhet menduar kështu. Shqipërisë nuk i dihet, sepse të ndëshkon kur nuk e pret, ashtu siç bëri edhe me Greqinë në ndeshjen e parë në grup, apo siç veproi në Ukrainë ndeshjen e fundit. Prandaj, duhet të luajmë me qetësi, - thotë Fatih Terim, trajneri i Turqisë. - Ne duhet t'i qetësojmë lojtarët tanë çdo moment dhe s'duhet t'u themi atyre: ja u dogjëm. Kështu do të luajnë në mënyrë më të mirë dhe do të jemi për çdo të papritur gati. Mund të bëjmë ndryshime në çdo minutë, edhe në minutat e fundit. Çdo skuadër ka dëshirë të futet në finalet e Botërorit dhe për ne Shqipëria është vendimtare, por nëse nuk e meritojmë, atëherë nuk duhet të ikim në finalet e Botërorit të Gjermanisë".
Nëse duhet, do t'i lëmë këmbët në fushë
Fatih Terimi, në prag të ndeshjes me Shqipërinë, duket mjaft i shqetësuar për dëmtimin e Emresë dhe Okanit. Për këta të dy, sot pritet përgjigjia përfundimtare e mjekëve të skuadrës, nëse do të luajnë në Tiranë apo jo. "Në ndeshjen me Shqipërinë s'duhet të mërzitemi për asnjë moment, pavarësisht situatave që mund të na krijohen. Me ta, në ndeshjen e parë kemi fituar, në fushën tonë, por kësaj here nuk do të jetë kaq e thjeshtë. Ne nuk do të luajmë për t'u vrarë, sepse është edhe kohë Ramazani, pra kohë bamirësie, por nëse do të na duhet, do t'i lëmë këmbët në fushë. Me një fjalë, për ta fituar këtë ndeshje do t'i përdorim të gjitha armët.
S'na thotë kush mirë se erdhët në Tiranë
Nuri Sahin është një djalë me edukatë dhe i respektueshëm, apo jo Terim? "Nuri është me të vërtetë një djalë i sjellshëm dhe i respektueshëm dhe vjen nga një familje me tradita. Nuk më intereson shumë se ka dy pasaporta. Nuk është e thënë se ka pasaportë angleze apo gjermane dhe nuk i jap aspak rëndësi këtij fakti. Ai luajti në miqësoren ndaj Gjermanisë me ne dhe tregoi se meriton vëmendje të veçantë. E rëndësishme është që Nuri Sahin ta mbajë këtë formë që ka dhe ta ngrejë akoma më shumë. Ai ka rreth 6-7 ndeshje që luan dhe mendojmë se do të bëhet akoma më i vlefshëm për skuadrën. Ky talent 17-vjeçar mund të jetë njëra nga kartat që mund të përdor edhe ndaj Shqipërisë. Në fakt, disa gjëra nuk e mendoja që do të përcaktoheshin vetëm nga një ndeshje, si kjo me Shqipërinë."
Fatih Terimi e thotë këtë, duke shtuar se u ka bërë stërvitje 15-20 lojtarëve për shumë kohë, me shpresën se do ta zgjidhnim ndryshe problemin e kualifikimit, por nuk e besonte se çdo gjë do të varej nga një ndeshje. "Megjithatë, futbolli i ka këto. Askush nuk do të na thotë mirë se erdhët në Tiranë, por ne do të bëjmë maksimumin tonë. Nëse do të jetë topi në këmbët tona, të gjithë do të hidhemi në sulm, nëse do të jetë te kundërshtari, atëherë të gjithë do të jemi në mbrojtje. Është një taktikë shumë e thjeshtë. Tani që jemi në prag të play-off-it, ne duhet të fitojmë, ndaj çfarëdolloj skuadre qoftë, e vogël apo e madhe. Ne duhet ta kalojmë atë. Në këtë rast për ne është Shqipëria," - nënvizon Fatih Terim.

Përgatiti Arbër Hoxha, Sporti Shqiptar
Shtuar më 10/10/2005, ora 20:26
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori