"Tërmet" në futbollin grek, klubi përjashtohet për trukim
Lajm i bujshëm nga Greqia, aty ku Federata Greke e Futbollit nëpërmjet Komisionit të Etikës ka përjashtuar nga Superliga greke OFI-n e Kretës!

Një hetim kishte nisur prej kohësh për ndeshjen OFI-Aiginiakos, luajtur më 12 nëntor 2017 dhe mbyllur 6-0.

Presidenti i OFI-t në atë kohë, Fotis Tsalos, kishte arritur marrëveshje me presidentin kundërshtar Giannis Nopas dhe me 3 lojtarë, në mënyrë që Aiginiakos të mundej me të paktën 3 gola diferencë. Në atë ndeshje 2 gola i shënoi Angelos Chanti, futbollist i cili prej janarit luan te Luftëtari.

Qartësisht, ishte një ndeshje e trukuar për baste dhe shifra të mëdha u luajtën për atë takim, ndërsa tashmë Komisioni i Etikës ka shpallur fajtor kryesor OFI-n, që zbret nga Superliga greke dhe dënohet me 300.000 euro gjobë.

Fajtor edhe Aiginiakos, natyrisht, që zbret nga Kategoria e Dytë greke në të tretën dhe merr të njëjtën gjobë, ndërsa të dyja ekipet do e nisin sezonin me 6 pikë minus. Po ashtu, janë përjashtuar përjetë nga futbolli presidentët që trukuan ndeshjen, përveçse janë gjobitur me nga 60.000 euro.

Ndërkaq, futbollistët B. Liolios, Th.Tolio dhe P. Gjadjizzoglu janë gjobitur me nga 5000 euro secili dhe janë përjashtuar për 10 vite nga futbolli.

Natyrisht, vendimi është provizor, sepse tashmë nis apelimi deri në CAS.
Shtuar më 04/03/2019, ora 16:24
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori