Teuta gati për ciklin e ri
Pëlqej
Debutoi me fitore 2-1 ndaj Luftëtarit, një javë më vonë mori 3 pikë të rëndësishme në Shkodër dhe më pas “black out”. Pas suksesit në “Loro Boriçi” më 17 shtator, Teuta e Gugash Maganit “uli çelësin”, duke zhvilluar një pjesë të parë sezoni “horror”. Fitorja në kampin durrsak mungon që prej dy muajsh dhe që prej atij suksesi në Shkodër në kampin e skuadrës bregdetare kanë rrjedhur shumë ujëra.

Trajneri Magani kërkoi largimin pas humbjes në Lushnjë, por peqinasi ka besimin e plotë të klubit që kërkon të ringrihet pikërisht nga ai. Largimi i Dostit dhe kritikat e ashpra ndaj disa prej lojtarëve me më shumë eksperiencë kanë trazuar letrat te skuadra e Maganit që kërkon të ringrihet në fluturim pikërisht nga Gjirokastra. Ndaj Luftëtarit, durrsakët në ndeshjen e parë arritën një fitore 2-1, që krijoi iluzionin se kjo skuadër do të luftonte për një vend në kupat e Europës, por dalëngadalë, me kalimin e javëve, hijet e së shkuarës u rikthyen në “Niko Dovana”. Vetëm 8 pikë, po aq sa Luftëtari, dhe zona e ftohtë vetëm 2 pikë larg.

Teuta e këtij sezoni nuk duket aspak e ridimensionuar, por java e parë e fazës së dytë mund të hapë një cikël të ri, sepse realiteti është ky dhe ashtu siç kërkon trajneri Magani, vetëm me punë dhe lojë bindëse kjo skuadër mund të dalë nga telashet ku është futur, pjesërisht edhe për faj të saj. /albeu.com/
Shtuar më 13/11/2017, ora 11:38
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori