Teuta mposht Vllazninë në “Loro Borici”
Pëlqej
Sezon i ri avaz i vjetër në Shkodër, me Teutën që duket se ja ka marrë dorën Vllaznisë. Arma mbetet e njëjta, cinizmi i skuadrës së Maganit që fiton 1-0 përkundër një Vllaznie që nuk është rritur sa duhet, edhe pse pas fitores me Lushnjën publiku kishte mbushur shkallët në Loro Borici.

Prezantohet me 4-3-3 Vllaznia me Krujën dhe Gilman Likës përkrah Atsina në sulm, ndërsa në 4-2-3-1 e Maganit Dosti, Dedic dhe Cyrbja mbështesin Osemenen. Sinjali i parë nga Arsid Kruja por goditja e tij është goxha sipër traversës, dy skuadrat shumë të kujdeshme e kanë të vështirë të nxjerrin dike përpara, ndeshja luhet në mesfushë dhe i duhet një shkëndijë për ta ndezur. Nuk arrijnë ta bëjnë dicka të tillë goditjet nga larg të Lenës apo Vucajt. Kryebashkiakja Ademi duket e lumtur në tribunë por në pjesën e parë mungon jo vetëm goli por edhe rastet me tifozët e shumtë që duken më tepër si në kinema se sa në stadium. Gjërat bëhen më interesante në pjesën e dytë, në minutën e 47 Dosti dhuron një krosim të bukur por Osemene nuk arrin ta devijojë topin drejt portës, raporton SuperSport. Vllaznia zgjohet me Gilman Likën që vepron bukur në të 62 në të majtë kur godet në rrotullim e sipër, Kastrati përgjigjet si duhet por mesfushori sjell duartrokitjet e para në stadium. Pak më vonë është Cinari që tenton golin spektakolar në roveshatë, topi shkon jashtë por publiku konfirmon. Problemi është se ndoshta kaq priste Teuta, një Vllazni më të cliruar dhe ai që bën gjëmën në Loro Borici është Arbër Cyrbja, ka shumë klas dhe potencë në veprimin e tij në të 70, driblon për ti ikur kundërshtarit dhe lëshon një të majtë të fortë me topin që shkon në rrjetë.

fenomenal Arbër Cyrbja, një gol i bukur por mbi të gjitha shumë i rëndë. Teuta shpërblehet për një loje me ide më të qarta në qarkullim, ndërsa Vllaznia e kërkon reagimin sërish falë individualiteteve. Është vërtet i pafat Gilman Lika 10 minuta para fundit kur shikon topin e goditur prej tij të stampohet në shtyllë, me Vllazninë që nuk arrin të kthejë rezultatin dhe pëson humbjen e parë në kampionat, ndërsa Teuta vijon me pikë të plota, Vllaznia mbetet viktima e preferuar e kësaj 2017 ku përvec eleminimit nga Kupa Teuta e ka mundur në 2 nga 3 përballjet direkte në kampionat, me Vllazninë që ska fituar asnjë herë.
Shtuar më 18/09/2017, ora 09:38
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori