Tevez qetëson tifozët: Do respektoj kontratën
Lajmi i mirë është se barazimi i Romës e lejon Juventusin të qëndrojë i qetë në krye të klasifikimit duke u afruar si asnjëherë më parë me titullin e katërt rresht në Serie A.

Carlos Tevez, emri i të cilit është lakuar shpesh herë kohët e fundit për shkak të një lamtumire të mundshme, kërkon që të mos flitet më për të ardhmen e tij, duke theksuar se për momentin mbetet i fokusuar vetëm te sezoni i Juventusit.

"Nëse do të largohem, të parët që do ta marrin vesh janë tifozët dhe shoqëria që duhet të marrë masat për të gjetur një sulmues tjetër. Gjithsesi, tani nuk mund të mendoj për të ardhmen time sepse ka ende kohë. Nuk më pëlqen që flitet për Boca Juniors pasi aktualisht jam në kontratë me Juventusin dhe dua të respektoj kontratën që kam deri në vitin 2016", ka thënë Tevez për mediat italiane.

Një deklaratë që qetëson disi ambjentin bardhezi pas lajmeve të ditëve të fundit për një largim të mundshëm të argjentinasit në fund të sezonit. Klubi i ka kërkuar që Tevez të marrë një vendim përfundimtar brenda muajit maj, por nuk ka përjashtuar as mundësinë e rinovimit edhe pse ky mbetet opsioni më pak i mundshëm.

Boca Juniors po e pret prej shumë vitesh rikthimin e sulmuesit në familje dhe nuk ka qëndruar duarkryq për ta bindur të largohet nga Torino një vit më shpejt. /albeu.com/
Shtuar më 20/04/2015, ora 13:22
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori