Thaçi, priti kampionen botërore Majlinda Kelmendi (FOTO-LAJM)

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi priti në takim kampionen e botës në xhudo, sportisten kosovare Majlinda Kelmendi, të cilën e uroi për fitimin e titullit të kampionit të botës në sportin e xhudos dhe e inkurajoi që edhe më tutje të vazhdojë rrugën e suksesit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, një ndër prioritetet e saj ka avancimin e sportit kosovar. Shembulli juaj na shtyn që si institucione të vazhdojmë t’i mbështesim edhe më shumë sportistët kulmorë, që kanë arritur të pasqyrojnë në mënyrë të dinjitetshme sportin e Kosovës në mënyrën më të mirë në arenën ndërkombëtare” - tha kryeministri Thaçi.

Kryeministri Thaçi, shprehu kënaqësinë që po e pret Majlindën, një sportiste që ka arritur majat në sportin e xhudos, duke u bërë kampione e Botës në këtë sport. Me këtë rast, Kryeministri Thaçi e përgëzoi Majlindën dhe trajnerin e saj, Driton Kuka për suksesin e arritur.

“Me fitoren tuaj, ju arritët që himni shtetëror i Kosovës të dëgjohet edhe në kryeqytetin e Brazilit, Rio De Janeiro. Dëshiroj t’iu uroj për suksesin, që na bën të ndihemi krenar edhe si qytetarë, edhe si institucione të Kosovës” - theksoi kryeministri Thaçi.

“Uroj që ky hap në karrierën tuaj të suksesshme, të jetë shembull për rininë kosovare, që të vazhdojë të punojë për arritjen e sukseseve të reja në të gjitha sferat, jo vetëm në sport, por edhe në kulturë dhe në fusha tjera” - u shpreh kryeministri Thaçi.

Kryeministri Thaçi, me këtë rast prezantoi para kampiones së botës në xhudo, Majlinda Kelmendi dhe trajnerit të saj, Driton Kuka shpërmblimet që ka ndarë Qeveria e Republikës së Kosovës për këta dy sportistë kulminantë. Për Majlinda Kelmendin, është ndarë një shpërblim në vlerën prej 40 mijë eurosh, ndërsa për trajenerin e saj, Driton Kuka, shpërblimi në vlerën prej 20 mijë eurosh.

Kampionja e botës, xhudistja kosovare, Majlinda Kelmendi shprehu falënderimin për kryeministrin Thaçi për mbështetjen që po i jep Qeveria e Republikës së Kosovës, asaj dhe ekipit të saj dhe premtoi se edhe në të ardhmen do të sjellë trofe për shtetin e Kosovës.

Xhudistja Majlinda Kelmendi gjatë takimit, i dhuroi Kryeministrit Thaçi një kopje të medaljes së artë të fituar në Kampionatin Botëror në Brazil, kopje e punuar nga një argjentar i njohur pejan. /albeu.com/
Shtuar më 10/09/2013, ora 17:49
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori