Ti jap një këshillë Kaçes? De Biazi: I dhashë një miliard duar, tani një shkelm mu në…
Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Giani De Biasi, mbetet pa dyshim një nga figurat më të dashura për shqiptarët, sidomos për dashamirësit e futbollit në veçanti. Kanë kaluar më shumë se 6 muaj nga Kampionati Europian, ku Shqipëria debutoi denjësisht.

Po çfarë mendon tani De Biasi, është e mundur të arrihet sërish në një kompeticion madhor? Po për grupin, për lojtarët e veçantë, çfarë mendimi ka?

Si janë raportet me Kryeministrin Edi Rama dhe Presidentin e FSHF-së, Duka? Përgjigjet e të gjitha këtyre, De Biasi i rrëfen në një intervistë ekskluzive për “Konica.al”, i intervistuar nga Mentor Nazarko.

Një rast shumë i diskutuar është ai i Kaçes për polemikat që krijoi, por dhe për mungesën e vazhdimësisë në lojën e tij. Çfarë këshillash apo sugjerimesh do të kishit për Kaçen?

Mendoj se jeta i ka mësuar diçka. Është një djalë që ka talent, një djalë që nuk e ka kuptuar si funksionon futbolli, por besoj se po e kupton tani në kurriz të vet.

Në jetë nuk duhet menduar asnjëherë që ke arritur synimet e tua deri në fund, sidomos për dikë të datëlindjes ’93, që sapo ka filluar rrugëtimin e tij. Shpeshherë krijohen iluzione, por unë mendoj se kjo periudhë do t’i vlejë si mësim. Nuk luan më as me një skuadër, as me një tjetër, mbeti aty ku ishte dhe do të rrijë shpesh në stol. Besoj se do t’i shndërrohet në një proces pjekurie.

de biazi kace

A dëgjoheni me të, i keni dhënë këshilla?

Jo, jo. Unë këshillat ia dhashë kur ishte momenti, më pas nuk harxhoj më energji, sepse tashmë ai duhet t’i kuptojë vetë gjërat.

Ne e biseduam këtë bashkë dhe privatisht. Është një djalë që ka një situatë psikologjike pak të veçantë. Është ndoshta pak i llastuar…

Jo, jo, nuk është i llastuar. Është një djalë i jashtëzakonshëm. Shpeshherë mënyra e të shprehurit e çon të komunikojë në mënyrë të gabuar, ndoshta sepse për shkak të gjuhës ka ndonjë vështirësi.

Dhe së dyti, sepse është i ri, që ende nuk ka përvojën e dinakërinë që të ruhet nga goditjet që të shmangë një mënyrë të shprehuri të veçantë gjatë intervistave. Besoj se për të kjo do të jetë një periudhë themelore.

Unë qëllimisht nuk kam folur me të, nuk e kam marrë në telefon, sepse dua të shoh cili do të jetë reagimi i tij. Është një situatë nga e cila duhet të dalë me këmbët e veta.

Në qoftë se vazhdon me agjentin, me shokun, me xhaxhain, me gjyshin, nuk do të mbërrijë askund. Duhet të bëjë një hap përpara dhe duhet ta bëjë me këmbët e tij. Vetëm në këtë mënyrë mund të shndërrohet në një lojtar themelor për ne.

A do t’i jepni një këshillë, një dorë?

Akoma?! I kam dhënë një miliard duar, nuk më mbetet veçse t’i jap një këmbë, një shkelm nga prapa…

Ai kishte një karrierë të rëndësishme përpara me kombëtaren greke. Ju keni ndikuar që ai të vinte të luante për Shqipërinë?

Jo, këto janë gjërat tuaja, fjalë gazetarësh, të gjitha budallallëqe, si pjesa më e madhe. Puna është se gjërat duhet t’i njohësh para se të flasësh në mënyrë serioze.

Shpeshherë flitet “me të dëgjuar”. Unë me Kaçe-n flas drejtpërdrejt, sepse e di si funksionojnë gjërat. Kaçe është një lojtar i mirë, për të cilin unë kam folur me disa skuadra, disa prej të cilave dhe të rëndësishme./Panorama/
Shtuar më 24/02/2017, ora 14:16
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori