Tifoz i zjarrtë, Djokoviç feston me Ibrën dhe Milanin
Nga plazhet e Dubait, në triumfin e “San Siro”-s kundër Arsenalit. Novak Djokoviç ka qenë një nga figurat e shquara të sportit që ishte i pranishëm në stadiumin italian për të ndjekur skuadrën e tij të zemrës, Milanin. Tenisti më i mirë në botë jo vetëm që ka shijuar ndeshjen për 90 minuta, duke u transformuar në një ultras kuqezi, por ka pasur luksin të festojë me të gjithë futbollistët kampionë Italie edhe në dhomat e zhveshjes.

Për më shumë, ai ka përforcuar edhe miqësinë e tij tashmë të njohur me liderin e Milanit, Zlatan Ibrahimoviç. Ky i fundit ka qenë ai që nuk ka munguar dhe ka shijuar nga afër disa nga titujt e fundit që tenisti serb ka festuar në këtë sezon dhe Djokoviç ia ka kthyer “borxhin” Ibrës të mërkurën, duke e duartrokitur nga shkallët e “San Siro”-s.

Pasi i është bashkuar Milanit në dhomat e zhveshjes, 24-vjeçari ka marrë edhe disa dhurata nga kampionët kuqezi. E para ka qenë fanella e ndeshjes së Kevin Prince Boateng, të cilën nuk ka vonuar ta veshë, ndërkohë që media italiane po e intervistonte si një fans të Milanit. Por dhuratën më të çmuar ia ka bërë miku i tij Zlatan Ibrahimoviç, i cili kishte bërë gati një fanellë me dedikim për tenistin, “Për numrin një në botë”.

Por mbrëmja e tensitit serb me Ibrën nuk ka përfunduar këtu, sepse pasi kanë shijuar një darkë mes miqsh në ambientet e stadiumit, ata janë ftuar nga sulmuesi veteran Filippo Inzaghi, për të kaluar disa orë në një nga diskotekat më të famshme të Milanos.

Sipas medias, dy milanistët dhe Djokoviç janë larguar nga lokali në orët e para të mëngjesit, por pas një fitoreje si ajo me Arsenalin, trajneri Allegri nuk do ta dënojë kurrsesi Ibrën. /albeu.com/
Shtuar më 17/02/2012, ora 09:53
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori