Tirana barazon në fund, Vllaznia vijon ngjitjen
Superliga
Zhvillohen disa nga ndeshet e kampionatit shqiptar të futbollit ku Tirana nuk ka mundur dot të fitojë përballë Bylisit në Ballsh. Bardheblutë kanë arritur të marrin vetëm një barazim 1-1 në fushën e vështirë të Ballshit. Popovici ka kaluar në avantazh ekipin e tij të Bylisit në minutën e 48 dhe pas këtij goli gjithçka ka folur për Bylisin. Skuadra vendase u mundua të administronte këtë avantazh për gjatë gjithë kohës dhe për një moment u duk se ia doli, por minuta e katërt shtesë ka rezultuar fatale për ta pasi Lilaj ka barazuar për Tiranën duke evituar humbjen për këta të fundit.

Në Laç, Vllaznia ka fituar përballë skuadrës vendase të Laçit me rezulatin e ngushtë 1-0. Skuadra shkodrane vijon ngjitjen e shkallëve të klasifikimit. Goli për shkodranët është realizuar nga mbrojtësi Gocaj në minutën e 70 i cili ka vulosur fatin e ndeshjes së luajtur në Laç.

Sot është luajtur edhe ndeshja tjetër e kategorisë superiore midis Kastriotit dhe Elbasanit ku krutanët kanë mposhtur një Elbasan pa pretendime me rezultatin 3-1. Lojtarët e Elbasanit në shenjë bojkoti për rrogat e mosmarra, nuk kanë shkuar në stërvitje për një javë, por ndërhyrja nga drejtuesit e klubit ka bërë që Elbasani të udhëtojë drejt Krujës por jo të shmangë humbjen. Alikaj, Alvizh dhe Babic kanë shënuar për Kastriotin ndërsa për miqtë ka shënuar golin e nderit Dalipi në fundin e takimit. (albeu.com)
Shtuar më 11/12/2010, ora 16:53
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori