Tirana e "abonuar" me barazimin, Dede: Kjo skuadër nuk është krijuar nga unë
Nuk e fshehu zhgënjimin Nevil Dede për barazimin e radhës që arriti Tirana në kampionat, atë ndaj Bylisit në transfertë.

Trajneri i Tiranës e analizoi kështu sfidën ndaj ballshiotëve: "Shpresoja shumë që të arrinim të shënonim. Shpërdoruam shumë në pjesën e parë. Terreni ishte shumë i rëndë. Lojtarët tanë nuk mund të tregojnë cilësitë e tyre në të tilla kushte. Mënyra se si ne dalim është e mirë, por finalizimi është keq. Muçi dhe Danso u munduan të bënin diçka, me ndihmën e Bathës. Më pëlqen shpirti i skuadrës. E rëndësishme është që Seferi është i joni dhe i urojmë mirëseardhjen. Kur vjen i pari hapet rruga për të tjerët. Sa më shumë të kemi aq më mirë është.

Ne kemi qenë të fokusuar te ndeshja e sotme. Nëse do kishte ndikim, sot mund të ishim mposhtur në këtë terren. Lojtarët meritojnë komplimente për atë që bënë. Shifrat nuk na japin të drejtë. Kjo do të thotë se diçka nuk shkon. Kam për të rregulluar disa gjëra që kanë qenë më parë. Unë jam i kënaqur me këta lojtarë dhe atë që ata kanë treguar. Nëse marrim disa lojtarë mund të flasim për objektiva.

Kjo skuadër nuk është krijuar nga unë, që të them se çfarë mund të arrij. Këta lojtarë ndoshta duhet të kenë më shumë eksperiencë. Të rinjtë po bëjnë një punë të mirë. Por të mos harrojmë se vjet kanë qenë zëvendësues dhe të mbajnë mbi shpatulla një klub si Tirana. Është e vështirë ta mbajnë peshën.

Merita e madhe e klubit që shumë shpejt u zhbllokua merkato. Mendoja se mund të vonohej 1-2 javë. Seferi mendoj se do të na ndihmojë. Por na duhen 2 lojtarë të tjerë që kanë peshën e tij. Torassa, Cale, Çelhaka kanë bërë historinë me klubin tonë. Ata nuk janë sulmues, por do na ndihmojnë shumë", tha Dede për "Supersport".


Shtuar më 09/01/2021, ora 17:52
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori